Edhe këtë të mërkurë, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij para mbështetësve që protestojnë prej dy javësh para banesës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama , duke theksuar se me keqqeverisjen e tij i ka kthyer shqiptarët në njerëzit më të varfër dhe keqpaguar në rajon.
Teksa përshëndeti qytetarët që edhe këtë të mërkurë protestuan poshtë shtëpisë së tij, ai tha se opozita po lufton kundër një regjimi. Ish-kryeministri nuk nguroi ta krahasojë betejën e tyre me atë të heroit kombëtar Skënderbeut.
“Për ne, ai është dhe mbetet frymëzuesi i çdo shqiptari, që beson të vërtetën, që është i vendosur të sakrifikojë për të. Ju jeni të pathyeshëm sepse po mbroni të vërtetat e mëdha të kombit. Skënderbeu luftoi një pushtim të huaj, kurse ju po luftoni një pushtim të brendshëm më barbar se sa çdo pushtim tjetër që kanë njohur shqiptarët”, tha Berisha.