Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të degës së PD-së në Kavajë, ku vlerësoi rolin historik të këtij qyteti në rrëzimin e diktaturës dhe lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Berisha shprehu mirënjohje të thellë për qytetarët e Kavajës, duke e cilësuar qytetin si simbol të lirisë dhe të vlerave themelore njerëzore e hyjnore.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të këtij qyteti të bekuar, kavajas dhe kavajase kudo që jeni sonte, në Kavajë, në Shqipëri dhe në katër anët e dheut. Mirënjohjen më të pakufijshme, nderimin më të madh, ndaj jush, burra dhe gra, djem dhe vajza, me një shpirt dhe një raport me lirinë ndër më të përkryerit që mund të ketë njeriu i civilizuar, njeriu i qytetëruar.”
Berisha theksoi se Kavaja ka qenë dhe mbetet një simbol i qëndresës dhe i besimit në vlerat themelore të shoqërisë shqiptare.
“Kavaja është simboli i njerëzve të lirë, i njerëzve që besojnë në vlerat më të larta, hyjnore dhe njerëzore, tek liria, Zoti, familja, Shqipëria.”
Duke iu referuar historikut të Partisë Demokratike në këtë qytet, ai kujtoi se dega e PD-së në Kavajë u themelua zyrtarisht në dhjetor të vitit 1990, por theksoi se roli i qytetit në lindjen e pluralizmit kishte nisur më herët.
“Ne mblidhemi sot në 35-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Kavajë.
Në të vërtetë, Partia Demokratike degë dega Kavajë formalisht u themelua me datën 17 dhjetor 1990 në darkë vonë, duke u gdhirë 18.”
Sipas Berishës, ishte pikërisht sakrifica dhe guximi i qytetarëve të Kavajës dhe grupeve antikomuniste që shërbyen si frymëzim për lëvizjen studentore dhe për ndryshimet demokratike në vend.
“Por e vërteta është se ishte Kavaja, ishte sakrifica, burrëria, trimëria e qytetarëve të Kavajës dhe grupeve antikomuniste të saj që hodhën themelet e pluralizmit, që u bënë inspirim për lëvizjen studentore.”
Në përfundim, Berisha theksoi se themelimi i Partisë Demokratike është i lidhur ngushtë si me lëvizjen studentore, ashtu edhe me kontributin historik të Kavajës.
“Pra, në këtë kontekst, mund të themi se Partia Demokratike e Shqipërisë aq sa u themelua në qytetin student, po aq u themelua në qytetin e Kavajës.”















