Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se mbrëmjen e djeshme protestuesit triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Komentet Berisha i bëri në një konferencë për mediat, ku tha se protesta nuk kishte asnjë lidhje me godinat e Qeverisë e të Parlamentit, por me keq-qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Berisha teksa e cilësoi tubimin si një protestë të ndërgjegjes qytetare, shtoi gjithashtu se ‘lufta’ e opozitës do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëdita! Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj.
Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë me fallangat e krimit të narkoregjimit Edi Ramës.
Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur kundër rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës.
Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese. Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelët e drogës.
Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHIT dhe e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.
Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin.
Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike.
Dje ata ishin pra vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar.
Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste.
Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut.

















