Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas deklaratës së përbashkët për media të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke u shprehur se “zhvillimet më të fundit dëshmojnë lojën tmerrësisht të rrezikshme që Edi Rama, ministrat e tij, mafia e tyre bën në kurriz të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve”.
“Në një kohë kur anekënd botës, mediat, organizatat më prestigjioze ushtojnë nga lajmet se nga Shqipëria janë nisur helme të rrezikshme drejt Tajlandës, Edi Rama heshti si fija e barit gjer sot. Ai më parë mohoi se ministrja e tij e Mjedisit ka dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të rrezikshme, kurse dogana e tij pohoi se kemi shkelur ligjin, se ka ndryshuar kodin duke u dhënë kodin e lëndëve jo helmuese, lëndëve helmuese. Kurse sot pasi i dolën të gjitha mashtrimet njëri pas tjetrit, sot ai nëpërmjet dy zëdhënësve të tij kërkon të lajë duart, por në fakt ai pohon se, qëndron vetë prapa trafikut mafioz të lëndëve toksike, kërcënuese”, tha Berisha.
“Në reagimin e tij të len me kuptu se për të mos ardhur këtu në Durrës dhe për të mos u ngritur Shqipëria në këmbë kundër tij, po përpiqet të gjejë shpella mafioze për ti depozituar mbetjet. Edi Rama kudo që ti çosh, parlamenti i Shqipërisë do ti hetojë ato. Nuk ke shpëtim. Krimi yt është krim i shëmtuar mjedisor, shëndetësor, është trafik i rrezikshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mos u përpiq të fshihesh pas eksporteve të Kosovës, se Kosova eksporton çdo vit qindra e qindra kontejner. Shqipëria eksporton çdo vit, qindra e qindra kontejner minerale. Kurse Edi Rama me mafian e tij, eksporton çdo vit qindra kontejner, helme, toksina për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme”, shtoi kreu demokrat.