Ky artikull nuk i dedikohet konkretisht rrugëtimit politik të Sali Berishës apo Edi Ramës. Nuk është një përmbledhje e mirëfilltë e momenteve kyçe të karrierës së tyre, por një trajektore ku këto dy personazhe bëhen bashkë si “antagonisti” në historinë e njëri-tjetrit dhe në fakt protagonistë të së tërës politike.
Lideri historik i demokratëve bëhet faktor në skenën politike në vitin 1990, duke iu bashkuar demonstratave të studentëve, që pas shumë përpjekjesh çuan në sistemin shumëpartiak pluralist në vend. Kryetar i Partisë Demokratike, u bë në Shkurt të vitit 1991, një muaj para zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Në Mars 1991, PD mori 39% të votës popullore, duke u pozicionuar kështu si subjekti më i madh opozitar.
Më pas, në 22 Mars 1992, PD dominon me 62% të votave. Rrëmben 92 nga 140 vende në Kuvendin Popullor, moment që pasohet me dorëheqjen e Presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia. Vendin e këtij të fundit e zuri më 8 Prill 1992 Sali Berisha. (Presidenti i parë i shtetit post-komunist)
Pa shkuar te zgjedhjet e 1996-ës, vëmë “gurin e parë të udhës” së Edi Ramës.
Një i ri që si shumë të tjerë, kërkonte kthesën historike. Me bindjen se regjimi i gjatë komunist kishte varrosur çdo alternativë, Rama ishte ndër emrat më të përfolur dhe aktiv në lëvizjen dhe protestat paqësore për lirinë.
“Këtu u vra dhe u varros çdo lloj alternative, çdo lloj shfaqje e alternativës, qoftë edhe në prerjen e flokëve”, shprehej ai asokohe. Por mungoi pikërisht më 8 Dhjetor 1990, datë që shënon rënien e komunizmit!
“I thashë Ardianit Klosit, që unë nuk mund të rri në Tiranë pasi më duhet të shkoj për ekspozitën. Nuk e pata instinktin, që do të ndodhte diçka pikërisht ato dy tre ditë. Kanë qenë dy tre ditë shumë të rënda për mua, shumë të vështira dhe shumë absurde, sepse bashkë me të tjerë kisha më shumë se një vit që e prisja takimin me Ramiz Alinë” – kështu e ka shpjeguar arsyen pse nuk ishte dot i pranishëm.
Për kontributin e tij si intelektual e aktivist, Edi Rama ishte një ndër personat e zgjedhur në mbledhjen e parë të PD-së së sapothemeluar për të organizuar zhvillimet politike të kësaj partie. Ai e kishte emrin te Komisioni Nismëtar. (13 Dhjetor 1990)
Këtu nis përplasja e parë: ai ikën nga mbledhja sepse për të Berisha ishte komunist!
“Sali Berisha është komunisti tipik dhe ka të gjithë eksperiencën si sekretar partie që t’ju eliminojë të gjithëve”, është fraza që ka thënë ai asokohe. E në fakt këtë mendim, me kohën duket se vetëm e ka përforcuar.
Edhe në një takim të PD-së me intelektualë të Tiranës në fund Janar të 1991-it, Rama kishte përsëritur se “Berisha nuk ishte personi i përshtatshëm për ta udhëhequr atë parti”.
“Ishte doktori, të tjerë…Ç’a bëni ju këtu, a i keni dorëzuar testerat e partisë tjetër se ju jeni komunistë?! U pata thënë, ai do t’ju hajë të gjithëve dhe ajo parti do shkojë në drejtim komplet tjetër. S’kishte hapësirë as për mua dhe çdo njeri tjetër që ishte më liberal”, ka rrëfyer Rama vetëm 2 vite më parë.
Më 26 Maj 1996, Berisha dhe PD marrin 122 nga 140 vende në Parlament. Ndërkombëtarët i cilësuan zgjedhje jo krejtësisht legjitime, madje sipas tyre ishin më të parregulltat të zhvilluara ndonjëherë pas rënies së komunizmit në një vend të Europës Lindore.
E teksa Ramës i shtohej “antipatia” e tij për Berishën, në periudhën 1992-1997 fitoi simpati për Fatos Nanon.
“Nisa ta simpatizoj kur kam filluar të lexoj letrat që shkruante nga burgu. Ishte shumë e papritur për mua qasja e tij në ato letra”, tregonte Rama. E nëse bëjmë një pauzë te kjo treshe, për të “Berisha ishte i vetmi komunist stalinist”.
’97-a e destabilitetit të madh, shtuar skemat piramidale, çoi në rënien e kredibilitetit të popullit te Berisha si President, por jo fundin politik të tij! Në Janar të po këtij viti, Rama ishte rikthyer nga Franca në Tiranë për të mbledhur firma për një peticion për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Aleksandër Meksit. Më 23 Janar, ai rrihet barbarisht nga persona të panjohur. Por ky moment nuk e ndalon retorikën e tij të ashpër e kritikuese.
Në 1998-ën, ai “ngul rrënjët” në atdhe, por jo prej telefonatës së marrë nga Fatos Nano.
“Nuk do të isha sot këtu nëse im atë nuk do të kishte vdekur në Prill të vitit 1998. Ishte një rastësi e çuditshme…. ardhja ime këtu për funeralin, me një biletë vajtje- ardhje”, ka thënë Rama. Nga 1998 deri në 2000-in ai bëhet pjesë e kabinetit qeveritar të Nanos, si Ministër Kulture.
Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për bashkinë e Tiranës në emër të PS-së dhe i fitoi zgjedhjet.
Megjithatë, në këtë periudhë 12 mujore, Berisha nuk është “marrë” shumë me Ramën. Kjo pasi “shënjestër” të akuzave nga më të rëndat kishte Ilir Metën (që asokohe ishte kryeministër).
Binomi Berisha-Rama merr formë më të qartë në 2003-in. Rama u ballafaqua ashpër me demokratët në një komision hetimor ku nuk hezitonte të shprehej me megafon kështu:
Jeni tamam bijtë e “doktor rrumpallës”, vetëm “rrumpallë” dini të bëni (referuar Berishës) Pas mbledhjes së zhurmshme të komisionit u shpreh se “nuk ishte ai regjisori i shfaqjes”.
“Këtë shfaqje e kanë ideuar të tjerë, që dihen dhe që nuk dihen, por që unë i di dhe e ka vënë në skenë një regjisor që e njohin të gjithë shqiptarët. Ai që vuri në skenë masakrat e ’97 dhe që autostradën e nisur për në Evropë e ktheu për në rrugë të anijeve që detyroheshin të linin të lemerisura Shqipërinë në zjarrin e trazirave të ’97 dhe që pastaj na dha një epilog me zjarrin e ’98. Ai është regjisori i kësaj shfaqje, skenarin e ka bërë në bashkëpunim”, ka thënë Rama.
Ndërsa kreu i demokratëve, deklaronte se “Ramën kudo ta klikosh të del korrupsion”.
“Klikoje majtas del drogë, klikoje djathtas del tender, klikoje sipër del ryshfet për leje ndërtimi. Absolutisht çdo gjë”, shprehej Berisha.
“Ka humbur logjikënn, është i tëri në gjendje narkotike. Ka propozuar kontroll fizik në hyrje-dalje të punonjësve nga frika se mos po i dalin dokumentet jashtë, në një kohë kur e vërteta është se ato ekzistojnë jashtë”, ishte një tjetër deklaratë e tij për Ramën.
Në 2005-ën, Berisha rikthehet në krye të qeverisë së vendit, pas triumfit në zgjedhjet e 3 Korrikut. Ndërkohë, më 9 Tetor të atij viti Rama zgjidhet kryetar i Partisë Socialiste, muaj pasi Nano dha dorëheqjen. (Pa harruar detyrën e Ramës si kryebashkiak i Tiranës)
2005-a shënon tamam nisjen e një “lufte” që siç koha e ka treguar, nuk do ketë një fund! Më 10 Shtator 2005, Rama del për herë të parë në konferencë për shtyp brenda selisë së PS-së.
“U harruan ato që u thanë për taksat, u harruan ato që u thanë për pensionet, u harruan ato që u thanë për energjinë, u harruan ato që u thanë për ujin, u harruan ato që u thanë për legalizimin e banesave, u harruan ato që u thanë për të përndjekurit politik, u harruan ato që u thanë për ish-pronarët, dhe natyrisht u harruan dhe të gjitha ato që u thanë për veriun e vendit”, shprehej ai për Berishën.
Tanimë pozicionet ishin të qarta, Berisha kishte një rival të ri politik.
Më 13 Janar 2006, kreu i Bashkisë të Tiranës e njëherësh dhe kryesocialisti Edi Rama depozitoi në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal me 5 akuza në adresë të kryeministrit të vendit Sali Berisha.
Patjetër që ky veprim u pasua me debate e të panumërta në Parlament e jo vetëm.
“Kërkoj nga ju t’i thërrisni arsyes, mos e bëni krimin hijen tuaj!”– i drejtohej Berisha socialistëve. Ndërsa për Ramën, çdo fjalim i tij ishte epilog i shëmtuar, “ku marrëzia antikushtetuese dhe urrejtja për njeriun ishin të kudo ndodhura dhe të pa ndara.”
15 Marsi 2008 shënon tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona. Kjo ngjarje intensifikon armiqësinë mes tyre. Teksa kryeministri Berisha kërkonte hetimin në çdo qelizë të asaj që kishte ndodhur në fabrikën e demontimit të armëve, Rama i drejtonte gishtin si përgjegjës.
Me një sërë prit e gjuaj mes tyre në vitet e ardhshme, shkojmë te protesta e 21 Janarit 2011, tjetër moment i rëndë që jo vetëm ashpërson gjuhën mes tyre, por shenjon në historinë e vendit si një ndër episodet më të errëta dhe të vështira për t’u kapërcyer.
Sipas Ramës “krimi barbar shtetëror” jo vetëm që nuk u hetua, “por i ktheu gjykatësit në gardistë togëzinj të cilët me urdhër nga lart e pushkatojnë në publik drejtësinë, njësoj siç pushkatoi Garda 4 dëshmorët.”
E teksa Berisha theksonte se nuk merrej me vendimet e gjykatës apo sistemin e akuzës lidhur me ngjarjen, protestën e përshkruante kështu:
“Një grup aventurierësh, bënë përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin e dalë me votë. Tani ai që mblodhi njerëz me litar e hunj përpiqet të mbledhë vota me kortezhe të cilat ai ka përgjegjësi maksimale.”
Edhe në fushatën e këtij viti, Rama nuk la pa u kujtuar shqiptarëve atë që ai e quan “vepër e bufit të kënetës”.
“Ka disa që nuk e dinë ç’a përfaqëson bufi i kënetës. Mbani mend disa numra dhe kur të ikni shkoni në youtube dhe bëni search, shkruani 1996, 1997, nëse nuk ju mjafton shkruani Gërdec 2008 dhe nëse nuk ju mjafton as ajo shkruani Janar 2011. Aty do të shihni se kush është pala që vjen dhe ju thotë t’i jepni votën që të bëjnë Shqipërinë Madhështore. Ju që atje të thoni a janë normalë këta”, është shprehur ai.
Ndërsa Berisha u pyet për “21 Janarin” në ditën përkujtimore këtë vit.
“Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat, jo pas 14 vitesh, siç pretendoni ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate, ditën e rrethimit, datën 21 Janar 2011, dhe në mënyrë të përsëritur. Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen e pasnesërmen kam kërkuar një hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare kanë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike”, tha ai.
2011-a është edhe viti kur Rama humbi postin e kryebashkiakut përballë Lulzim Bashës. Analistët ia atribuojnë faktit se “Rama nuk e mori seriozisht atë fushatë për shkak të popullaritetit që kishte” e nga krahu tjetër “mbështetjes së fortë të Berishës ndaj Bashës”. (25 Korrik) Edhe pse rezultati u konsiderua i pavlefshëm nga socialistët, Basha e mbajti atë post në mënyrë legjitime deri në vitin 2015.
Tani ndalemi te 25 Qershori 2013… (Berisha humb përballë Ramës në zgjedhjet parlamentare)
Pa hyrë në detaje të mënyrës si u zhvillua fushata, do fokusohemi te momenti që Edi Rama mban fjalimin e fitores.
Teksa skuadrës entuziaste u siguroi se do të punojnë fort së bashku, për herë të parë u tregua empatik ndaj paraardhësit të tij në krye të qeverisë. Jo vetëm kaq, e falenderoi!
“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për të, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë dhe i uroj të gjithë të mirat në jetën private në vazhdim.”
Duke marrë përgjegjësinë e humbjes mbi supe, Berisha mori një vendim të fortë. Në një konferencë për shtyp, një ditë më vonë ai njoftoi dorëheqjen nga çdo funksion i PD-së. Por patjetër kjo nuk ishte një lamtumirë, ai do ishte anëtar i partisë që krijoi edhe pa e udhëhequr.
“Rezultatet e këtyre zgjedhjeve pranohen nga unë vetë dhe nga partia ime. Ne e humbëm këtë betejë, por ndryshimi i pushtetit është jetik për demokracinë”, deklaroi Berisha. Kundërshtarit të tij, i uroi mbarësi.
Po a ishte kjo një zgjedhje e imponuar e Berishës? Sido të ketë qenë, ajo që ne dimë me siguri është se ky vendim pati pasoja për të e veçanërisht Partinë Demokratike. Lulzim Basha e mori këtë post aq të lakmuar, në një kohë që për thuajse të gjithë ishte “i biri politik i Berishës”. Por shumë ndryshe nga ky i fundit, Basha nuk e ka peshuar asnjëherë te vetja e tij përgjegjësinë e humbjes.
Në 2013-ën, Berisha fliste me konsideratë e respekt të madh për të. Përpos rezultateve tejet të dobëta të Bashës si kryetar i PD-së, “kupa u derdh” kur ai përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar. (9 Shtator 2021) Kryedemokrati njoftoi se ka përjashtuar Sali Berishën nga grupi i PD-së, pasi SHBA e shpalli “non grata”.
“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen”, tha Basha, që edhe 12 vite më vonë do të mbetet “zhgënjimi më i madh në jetë për Sali Berishën”.
Por nuk do fokusohemi te raporti “babë e bir” politik… Si reagoi Rama në atë kohë?!
Këtë vendim, e priti me indiferencë sepse për të “Berisha ishte pjesë e së shkuarës”.
“Unë pazar me Bashën për përjashtimin e Berishës? Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve duke dhënë shembullin e pari dhe duke u përmirësuar edhe në raport me ju (i referohet gazetarëve). Jam i vetëdijshëm që padashje kam kaluar kufirin, ju jap fjalën që do bëj çmos që të jem në dispozicionin tuaj i urtë dhe i dashur. E kuptoni se sa e madhe është sfida jonë. Trishtimet dhe gëzimet janë shumë të brendshme për t’i shpërdoruar për diçka që i përket një tjetër kampi politik”, tha Rama.
Ndërsa për Berishën, ajo ditë mund të ketë qenë më e vështira për të në aspektin politik. Një thikë pas shpine që siç ai e ka thënë shpesh e detyroi të rikthehej si misionar!
“Një vendim të tillë një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ka por pavarësisht nga presioni mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sesa të dorëzonte sovranitetin e PD”, tha ai në atë kohë duke paralajmëruar “hakmarrjen”, rimarrjen e partisë që e la në duart e gabuara.
Kështu nisëntakimet e flakta të Berishës me simpatizantë dhe po ashtu çarja e madhe e PD-së. Kush në krahun e kujt, lufta për selinë blu, vula aq e diskutuar e shumë e shureferemë momente përplasjesh brenda kampit opozitar. Misioni i Berishës ishte jo vetëm për rimarrjen ligjore të PD-së, por edhe të rrëzonte nga pushteti Edi Ramën, për të cilin tanimë nuk “kishte mëshirë”.
Teksa u thirr Referendumi për shkarkimin e Bashës, Berisha e akuzonte atë se “po vepronte sipas skenarëve të Ramës”. Një muaj më vonë, më 8 Janar 2022, panorama në selinë blu ishte më e shëmtuara ndonjëherë.
Protesta u kthye në përleshje të ashpër mes demokratëve, periudhë që e mbajti Ramën plotësisht të pashqetësuar. Në një prononcim për gazetarët ai tha:
Kjo është për të qarë dhe për të qeshur, por unë nuk mund të qaj për gjendjen realisht dramatike. Janë të dyja kufomat e PD-së që kanë marrë peng në fakt demokratët duke u kacafytur me njëri-tjetrin.
“Të mbetur nga e shkuara në këmbë”, theksoi ai, duke futur në “sirtarin e vjetër” edhe Bashën.
Teksa u thirr Referendumi për shkarkimin e Bashës, Berisha e akuzonte atë se “po vepronte sipas skenarëve të Ramës”. Një muaj më vonë, më 8 Janar 2022, panorama në selinë blu ishte më e shëmtuara ndonjëherë. Protesta u kthye në përleshje të ashpër mes demokratëve, periudhë që e mbajti Ramën plotësisht të pashqetësuar. Në një prononcim për gazetarët ai tha:
Kjo është për të qarë dhe për të qeshur, por unë nuk mund të qaj për gjendjen realisht dramatike. Janë të dyja kufomat e PD-së që kanë marrë peng në fakt demokratët duke u kacafytur me njëri-tjetrin.
“Të mbetur nga e shkuara në këmbë”, theksoi ai, duke futur në “sirtarin e së shkuarës” edhe Bashën.
Megjithatë, ai që u “zhduk” nga sytë e qytetarëve ishte vetëm Basha, ndërsa Berisha vijoi me kryeneçësi drejtimin e tij pa kthim pas.
Në zgjedhjet lokale të 2023-it, PS merr shumicën e bashkive, ndërsa Berisha që udhëhoqi koalicionin “Bashkë Fitojmë” dështoi. Siguroi vetëm 7 bashki në rang kombëtar, rezultat që nuk e pranoi duke akuzuar Ramën për “blerje masive votash” e “përfshirje të bandave kriminale në proces zgjedhor”.
Teksa Rama zhvilloi një tur falenderues në qytetet e vendit, Berisha zotohej se nuk do të hiqte dorë derisa të “rrëzonte narko-regjimin”.
Sfida bëhet më e vështirë për kryedemokratin më 30 Dhjetor 2023. Përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë paraqiten në ambientet e banesës së tij për t’i komunikuar masën e “arrestit në shtëpi”, lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. As kjo gjë nuk e ndaloi atë të mblidhte poshtë dritares së shtëpisë dhjetëra simpatizantë dhe çdo pasdite të mbante fjalimet e tij.
“Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij, mercenarë të krimit, do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë. Por në qoftë se Edi Rama, ministrat e tij, Dumani, Doshi e me radhë, Gjiknuri, Manja, e të tjerë, janë vrasës të saj në terren, Dumani, Kraja dhe horat e tjerë janë vrasës të saj në dosjet që nuk i hapin kurrë”, shprehej ai.
Përveçse pjesë të së shkuarës, kryeministri Edi Rama e cilësonte Berishën një njeri me “damkën e non-gratës”, megjithatë nuk komentonte vendimin e GJKKO për të. “Ju siguroj që ëndrat e mia janë shumë më të mëdha nuk shoh ëndrra se si dënohen njerëz. Nuk kam ëndrra të tilla as me sy hapur as me sy mbyllur”, tha ai në Dhjetor 2023.
Pak qetësi për Berishën më 11 Qershor 2024. Gjykata e Apeliti dha vulën aq të kërkuar të partisë! Tanimë, i kishte mbetur vetëm “beteja ligjore”. Më 27 Nëntor 2024, Gjykata e Posaçme e liroi nga “arresti shtëpiak” ish-kryeministrin Berisha duke e lënë në “detyrim paraqitje”.
S’kishte si të ndodhte ndryshe, Berisha u nis direkt drejt selisë blu ku deklaroi se “e vërteta fitoi”. Për të, rruga drejt zgjedhjeve parlamentare 2025 sapo ishte shtruar.
Duke marrë parasysh kalvarin relativisht të gjatë të bashkimit të PD-së dhe përkushtimit të Berishës, pritej një fushatë e zjarrtë para 11 Majit. Por nuk ndodhi kështu… Fushata ishte e qetë dhe me takimet e zakonshme. Ajo që mund të veçojmë janë veçse materialet e shumta për humor në rrjetet sociale dhe hapësira thuajse e padukshme e pikave të programit. Megjithatë, duhet thënë se Rama e ka përmendur shpesh Berishën pas një periudhe që dukej se “i kishte larë duart me të”. A e ka detyruar fakti se e kishte po prapë kundërshtar, ashtu si në 2013-ën?! Edhe kjo është padyshim, por gjuhës së tij ndryshe nga 12 vite më parë i veshi fjalë të reja që i ka stërholluar e kthyer në një fabulë që sipas tij i shkon vetëm “bufit plak e kënetës së tij”.
Para se të shkojmë te ditët e fundit, nuk mund të harrojmë momentet më pikante e të forta të kësaj dysheje në Parlament.
Po a i njohin ndonjë meritë njëri-tjetrit?
“Edhe pas kaq vitesh, nuk ka përfunduar projektet e mia”, është përgjigjur Berisha 4 vite më parë. Ndërsa përballë gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion” në Dhjetor 2024 tha:
“Largimi i 40% të shqiptarëve nga Shqipëria është akti më armiqësor se çdo pushtim dhe diktaturë. Nuk mund të flitet për merita.”
Ndërsa Rama i njeh vetëm 1 të tillë! “Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë kohe shumë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant për një periudhë jo të vogël edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancën e vet edhe kur nuk ka patur pushtet.”
Teksa rezultati final i këtyre zgjedhjeve është thuajse i afirmuar, me PS-në që fiton mandatin e 4-ërt, Berisha ka parajamëruar protestë më 16 Maj. Për të s’ka shtet demokratik e as zgjedhje të lira dhe nuk e ka ndërmend të dorëzohet… Sepse siç e ka deklaruar të Premten e 10 Majit “vetëm Zoti e largon një misionar!”
Ndërsa Rama edhe pse nuk është aspak në pozitë të vështirë, do të lërë zyrën e Kryeministrit kur sovrani të vendosë ose kur vetë ai ta dojë një gjë të tillë.
Ndryshe nga 2013-a, nuk ka sinjale për pranim rezultati në kampin opozitar. Thënë kjo, s’mund të parashikojmë sado pak se si mund të shkojë situata politike në vijim.
Ajo që mund ta konfirmojmë është se në gati 35 vite, Berisha e Rama kanë marrë vëmendjen, kanë zgjuar kureshtje dhe po…kanë rrëmbyer zemra. Të dy, janë të ngjashëm në një pikë! Secilin ose mund ta duash, ose ta urresh! Nuk ka ndryshe, ashtu siç ata të dy nuk e gjetën kurrë një të mesme në qasjen karshi njëri-tjetrit.
Shkroi Enxhi Dogjani/tvklan.al