Roma nuk e ka nisur mbarë sezonin e ri të Serisë A. Verdhekuqtë nuk shkuan dot më shumë sesa një barazim 2-2 në shtëpi ndaj modestëve të Salernitanës, duke rrezikuar madje edhe ta humbnin sfidën e parë të kampionatit.
Ndeshja nisi mirë për kryeqytetasit, me Belottin që shënoi që në minutën e 8, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje milimetrik. Gjithsesi, sulmuesi i Romës shënoi një tjetër gol, kësaj radhe të rregullt, 9 minuta më vonë.
Salernitana reagoi duke përmbysur rezultatin me dy gola fantastikë të Candreva, i cili mposhti portierin e Romës në minutat 36 dhe 49.
Ishte sërish Belotti ai që në minutën e 82 shënoi një tjetër gol, pas një goditjeje këndi, duke shpëtuar kështu Romën nga një humbje poshtëruese në debutim.
Në ndeshjen tjetër të pasdites në Serinë A, Atalanta mposhti 2-0 në transfertë Sassuolon. Charles De Ketelaere, ish-mesfushori i Milanit, gjeti më në fund golin në kampionatin italian, duke i dhënë avantazhin Atalantës me një goditje me kokë. Ndërsa Zortea vulosi rezultatin e ndeshjes në minutën e tretë shtesë.