Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit, në Uashington.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balluku shprehet se diskutoi me zyrtarin e lartë “për një sërë çështjesh kritike për rajonin, për aktualitetin e ditëve të fundit dhe mbi të gjitha për rolin e rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Rama po luajnë në këto momente vendimtare”.
“Në Departamentin e Shtetit takova Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ku diskutuam për një sërë çështjesh kritike për rajonin, për aktualitetin e ditëve të fundit dhe mbi të gjitha për rolin e rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Rama po luajnë në këto momente vendimtare. Escobar mbetet një nga njohësit më të mirë të rajonit pranë Departamentit të Shtetit. Ai dhe skuadra e tij janë të gatshëm të ndihmojnë në zgjidhjen e situatave dhe mbarëvajtjen e reformave dhe proceseve jetësore për vendet e Ballkanit Perëndimor. E sigurova që Qeveria Shqiptare është e fokusuar plotësisht për përmbushjen e angazhimeve të marra dhe mbi të gjitha jemi koshient për rolin e rëndësishëm që duhet të luajmë në rajon dhe shembullin e mirë që duhet të japim”, shkruan Balluku./Opinion.al