Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský.
Intensifikimi i bashkëpunimit politik, ekonomik, dhe ai në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe ecuria e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian ishin në fokus të bisedës.
Begaj i vlerësoi shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të dialogut politik nëpërmjet shkëmbimeve dhe vizitave të nivelit të lartë.
Marrëdhëniet pozitive ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Çeke janë reflektuar në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kanë shfaqur një tendencë pozitive, ndërsa të dyja palët vlerësojnë se ka ende mundësi të pashfrytëzuara për të forcuar lidhjet ekonomike dhe tregtare.
Begaj theksoi se një potencial i rëndësishëm për bashkëpunim ndodhet në sektorët e energjisë, ku Shqipëria po diskuton projekte për diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Marrëdhëniet e mira Shqipëri-Çeki janë reflektuar dukshëm në turizëm, ku qytetarët çekë po vizitojnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë, po shijojnë mikpritjen dhe bukuritë e natyrës shqiptare, duke kombinuar pushimet në bregdet me ato në male, madje po mësojnë edhe shqip”, u shpreh Begaj.
Presidenti i Republikës i përcolli ministrit të Jashtëm çek falenderimet për mbështetjen politike të Republikës Çeke gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, e shprehur kjo me vendime konkrete, përfshirë edhe heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.
Gjatë takimit u bisedua edhe për Samitin e Gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që pritet të mbahet në Tiranë më 16 Maj të këtij viti, i cili nga Shqipëria shihet si një platformë për të forcuar bashkëpunimin dhe për t’u lidhur me politikat e BE-së për sigurinë e energjisë, migracionin, veprimin për klimën dhe zhvillimin ekonomik.