Presidenti Bajram Begaj së bashku me homologun italian Sergio Mattarella, ka shkuar në Sicili ku është takuar me komunitetin arbëresh.
Begaj shprehet se komuniteti arbëresh është një pasuri e jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë.
Ndër të tjera, ai foli për miqësia midis Shqipërisë dhe Italisë duke thënë se është më shumë se një marrëdhënie diplomatike.
“Miqësia midis Shqipërisë dhe Italisë është më shumë se një marrëdhënie diplomatike, ajo është një lidhje e thellë, e përbashkët dhe shumë e qëndrueshme.
Këto marrëdhënie kanë një thellësi bashkëpunimi që garanton qëndrueshmëri, parashikueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Bashkëpunimi shtrihet në të gjitha fushat e aktivitetit politik, ekonomik, shoqëror e kulturor, të sigurisë dhe mbrojtjes si vende anëtare në NATO dhe, mbi të gjitha, të kontakteve dhe miqësisë mes njerëzve të thjeshtë.
Marrëdhënia jonë është natyrshëm dhe pa asnjë dyshim një marrëdhënie e nivelit strategjik, në nivelin e partneriteteve dhe aleancave që janë vetëpërcaktuar si të tilla prej historisë”, tha kreu i shtetit.