Bashkimi Europian është duke vendosur në kampet e refugjatëve në Greqi dhe Itali, agjentë të antiterrorit, me qëllim identifikimin e luftëtarëve xhihadistë që janë të infiltruar mes tyre.
Sipas gazetës spanjollje “El Pais”, e cila si burim të lajmit citon kolonelin Manuel Navarrete, drejtor i Qendrës europiane kundër terrorizmit, specialistë të Europol, ndryshe njihen edhe si “oficerët mysafirë”, janë duke ndihmuar autoritetet e të dyja vendeve që të identifikojnë terroristët e mundshëm, raporton Klan.
“Bëhet fjalë për persona që kanë rastin të shfrytëzojnë këtë fluks refugjatësh duke u fshehur mes tyre për të hyrë në Europë”, ka deklaruar oficeri i lartë spanjoll.
Evropa është në alarm pasi mes refugjatëve që hyjnë nga vendet e luftës, ka edhe terroristë të cilët me shumë gjasa janë dërguar nga Shteti Islamik për të kryer sulme terroriste në vendet evropiane.