Thelbi i konfliktit mes politikanëve të Shqipërisë dhe Kosovës për çështjen e kufijve, e ka bazën në aleancës politike mes PDK-së dhe AAK-së në Kosovë. Baton Haxhiu në studion “Opinion” ka thënë se në kalkulimet e tij politike, Hashim Thaçi gaboi në përpjekjen për ta lënë jashtë loje Ramush Haradinajn.
“Thelbi i konfliktit e ka bazën te koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Thaçi e ka ndihmuar ndërtimin e këtij koalicioni, e ka bërë zotin Haradinaj kryeministër. Ka menduar se Haradinaj duke qenë kryeministër, nuk mund të jetë në bisedime me faktorin ndërkombëtar. Haradinaj kërkon hisen e tij në këtë proces. Gabimi në kalkulim i Thaçit ka qenë se ka nxjerrë jashtë loje kryeministrin e vendit, prandaj ai ka nisur lojën e tij”, ka thënë Baton Haxhiu./Opinion.al