Deputeti i PD, Luçiano Boçi, theksoi se selia blu është e hapur për të bashkëpunuar me çdo parti opozitare që është kundër qeverisë “Rama”.
Në emisionin “Opinion”, Boçi tha se demokratët e kanë bërë “lëshimin e parë” dhe se janë të gatshëm për t’u ulur në tryezë me forcat e tjera politike. Sipas deputetit, kjo do të jetë dhe gjëja më e mirë që opozita mund të bëjë në këto kushte që ndodhet.
“Lëshimin e parë ne e kemi bërë. Nuk është se ne kemi kompleksin që dikush mori iniciativën, iniciativën që për hir të së vërtetës ne e kemi marrë disa herë për të bashkuar forcat politike dhe ai po e bën. Kemi thënë, e po e themi, që ne ulemi si të barabartë pavarësisht madhësisë apo vogëlsisë së forcës politke. Unë mendoj që nisma është anekdoti më i mirë për gjithë këtë toksifikim që është bërë opozitës në këto vite, përçarje, përplasje, mungesë iniciative të përbashkët, kakofoni, çarje në situata zgjedhore… sepse alternativat kanë ekzistuar”, tha ai.















