Bashkia e Tiranës në kuadër të rishikimit të buxhetit 2016, ka vendosur të rialokojë 1 miliardë lekë (7.1 mln euro) fonde që ishin planifikuar për rikualifikimin urban të sheshit Skënderbej në investime në rreth 5 objekte të tjera në kryeqytet, ndër to edhe te parku i Liqenit.
Lajmi njoftohet në relacionin që Bashkia e Tiranës ka bërë gati për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, që do mbahet në 6 korrik. Projektit fillestar për rikualifikimin e sheshit urban i anulohet fondi, pasi ky projekt nuk është prokuruar ende.
Si do rishpërndahen fondet Bashkia e Tiranës ka planifikuar të ndërtojë një itinerar këmbësoresh me pistë vrapimi dhe biçikletash në Parkun e Liqenit artificial. Vlera e projektit është përllogaritur në 307.5 milionë lekë (2.2 mln euro), nga të cilat 155 milionë lekë (1.2 mln euro) do të financohen më 2016.
Gjithashtu bashkia do të përdorë 320 milionë lekë për rikualifikimin urban të sheshit Skënderbej këtë vit, faza I (vlera totale e projektit 640 milionë lekë). Rehabilitimi i varrezave të Sharrës është një projekt i ri që do të financohet këtë vit me vlerë totale investimi 332 milionë lekë, nga të cilat 166.4 milionë lekë do të financohen këtë vit.
Bashkia ka përfshirë si projekt të ri për të financiar këtë vit, rikualifikimin e Pazarit të Ri, ku do të restaurohen fasadat e 4 objekteve përreth Sheshi, Avni Rrustemi me vlerë totale financiare 200 milionë lekë, nga të cilat 100 milionë lekë janë planifikuar të financohen këtë vit.
Rishpërndarja e fondeve për arsimin do të konsistojë në ndërtimin e shkollës koreografike me vlerë 63 milionë lekë nga të cilat 32 milionë do të financohen nga buxheti 2016. Rishpërndarja e fondit “Shqipëria Dixhitale” synon të krijojë një sistem të qendërzuar për menaxhimin e hoteleve dhe taksave të qëndrimit në Bashkinë e Tiranës.
Projekti kushton 48 milionë lekë nga të cilat 33 milionë lekë financohen këtë vit. Vlera e ndërtimit të objekteve do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës, ndërsa mbikëqyrja dhe kolaudimi nga fondet e bashkisë.
Burimi: Monitor