Nisin punimet për lotin e katërt të Unazës së Vogël. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave “Për shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i Unazës së Vogël, Tiranë”, Bashkia e Tiranës ka filluar prishjen e ndërtimeve pas 15-katëshit për ti hapur rrugë edhe fazës së fundit të punimeve për projektin e Unazës së Vogël.
Këtë fakt e ka bërë të ditur edhe vet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, ku dhe deklaron se punimet për Unazën e Vogël do përfundojnë në një kohë sa më të shpejt. “Do përfundojmë në kohë rekord me Unazën që më pas të nisë puna 12-mujore për sheshin Skënderbej”, shkroi kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Ndërkohë që një pjesë e banorëve kanë ndërmarrë vetë iniciativën për prishjen dhe çmontimin e objekteve të tyre.
Në total për këtë pjesë të Unazës parashikohen të prishen rreth 15 ndërtesa. Përfundimi i Unazës së Vogël parashikohet të ndodh para qershorit, kohë kur edhe do të nisin punimet për projektin e sheshit “Skënderbej”.