Gjykata e Posaçme konfirmoi masat e sigurisë “arrest në burg” për shefin e krimeve në Komisariatin e Himarës, Shkëlzen Ruska, shefin e Krimeve ne Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin e Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj, të cilët bashkëpunonin me narkotrafikantë.
SPAK nga hetimet ka dalë në përfundimin se “punonjësit e policisë së shtetit Elvis Dervishi (në atë kohë shefi i Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë) dhe ish punononjësi i Policisë Erdit Hazizaj, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm në polici, kanë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme”.
Ndërsa Ervis Alisinanaj, i cili në atë periudhë, ka qenë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Sarandë, rezulton të ketë ndihmuar një nga pjesëtarët e grupit, që t’i shpëtojë arrestimit pasi në makinën e tij i ishte gjetur një armë.
Sa i takon shefit të Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, ai dyshohet se në kohën që ka punuar pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e policisë së Gjirokastrës, ka ndihmuar një tjetër grup kriminal që kultivonte dhe trafikonte marijuanën në zonën e Teplenës dhe Gjirokastrës. Këtij grupi i përkasin 1360 bimë narkotike, me një peshë prej 1280 kilogramë të gjetur brenda një furgoni në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, në tetor të vitit 2020.