Pas takimit me Monika Kryemadhin mbrëmjen e së enjtes, Lulzim Basha do të mbledhë ditën e shtunë Kolegjin e Kryetarëve të Partisë Demokratike dhe ditën e dielë Kryesinë e Partisë Demokratike dhe ish-grupin parlamentar.
Mbledhja e ditës së shtunë është parashikuar për në orën 18:00 në selinë blu. Kolegji i Kryetarëve përbëhet nga të gjithë Kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike dhe tema kryesore e takimit pritet të jetë aksioni opozitar lidhur me qëndrimin e PD-së për reformën zgjedhore dhe krizën politike.
Ditën e dielë rreth orës 11:00 do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Kryesisë dhe ish-grupit parlamentar ku pritet të merret një vendim i PD në lidhje me platformën mbi të cilën po punon opozita për zgjidhjen e krizës që përfshin reformën zgjedhore, drejtësinë e pavarur dhe atë që njihet si paketa antimafia, e që në thelb godet kontratat konçesionare të qeverisë.
Mbrëmjen e së enjtes takimi mes Bashës dh Kryemadhit zgjati rreth 60 minuta dhe në fokus ka qenë çështja e reformës zgjedhore, për të cilën PD propozoi ngritjen e një strukture të posaçme, që në përbërje të ketë nga një përfaqësues të PD dhe PS.
Mbledhja me strukturat e larta të PD-së do të mbahet edhe në kushtet kur mbrëmë u bë i ditur vendimi i Bundestag-ut për negociatat me Shqipërinë. Miratimi dhe implementimi i Reformës Zgjedhore është një nga 9 kushtet që Bundestagu vendosi për Shqipërinë në mënyrë që të nisë procesi i celjes së negociatave për anëtarësim. /Opinion.al