Deklarata e shumëpritur e drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako për zyrtarin e përfshirë në trafik droge ka zhgënjyer. Klemend Balili vazhdon të mbajë detyrën e drejtorit të Transporteve në Sarandë edhe pse policia greke e ka shpallur në kërkim. Haki Çako nuk tha asgjë konkrete për Balilin.
“Kam dijeni, është operacion i përbashkët me policinë amerikane të drogës, DEA-n, policinë greke dhe disa partnerë. Është një nga operacionet me të suksesshëm në luftë kundër krimit të organizuar. Ka shumë më shumë se sa thuhet në aspektin investigativ. Është bërë shumë zhurmë për këtë gjë. Subjektet nuk mund t’i komentoj për shkak të hetimit dhe karakterit që ka çështja. Janë hetime, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Janë personazhe të botës së krimi”, deklaroi Çako.
I pyetur drejtpërdrejt a është nën hetim drejtori i transporteve në Sarandë, kryepolici Çako tha se nuk kishte asnjë koment.
Operacioni konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe BE.