Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i vetëdijshëm se përçarja e ka dëmtuar partinë më madhe opozitare, shprehet se është momenti për bashkim përtej interesave personalë.
Ne nuk po bojkotojmë parlamentin. Por, jemi duke ndjekur të njëjtën rrugë që ndjek mazhoranca me opozitën, po na pengon të ushtrojmë ato detyra që na kanë ngarkuar qytetarët. Ne e dimë që një ligj i miratuar nga qeveria, vijohet gjithnjë me votat e mazhorancës. Kur një ide sado e mirë është, thuhet nga opozita, ajo nuk merret parasysh. Ne nuk po bëjmë një betejë për veten tonë, po bëjmë një betejë që t’u shërbejë qytetarëve.
Grupi Parlamentar i PD-së është bashkuar në një aksion tërësor kundër qeverisë. PD gjatë këtyre dy viteve ka qenë e ndarë. Ne kemi kuptuar që ndarja e PD e ka dobësuar dhe e ka bërë jofunksionale opozitën. Po shohim mundësitë për të pasur një bashkim. Një projekt të përbashkët të përballjes me qeverinë e korruptuar.
Ka zero rëndësi se kush njeh kë, sa kohë që çështja e legjitimitetit të institucioneve të PD ndodhet ende në gjykatë. Sa të merremi me historinë, duhet të fokusohemi tek ajo që ka nevojë sot Shqipëria. Ka nevojë për një opozitë që përmbush misionin e saj. Janë të gjitha mundësitë nëse secili prej nesh kapërcen interesin personal.