Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti në Kuvend Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Në fokus të takimi ishte avancimi i dy reformave të rëndësishme, Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale. Balla theksoi rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të procesit të integrimit europian.
“Diskutuam mbi avancimin e procesit të integrimit europian, rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me objektin tonë të qartë ngritjen e flamurit tonë kuq e zi në oborrin e Brukselit deri më 28 Nëntor 2030”, u shpreh Balla.
Balla shprehu krenarinë për ecurinë e deritanishme të vendit në negociata, duke theksuar se Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe po ecën me vendosmëri drejt mbylljes së tyre, mbi bazën e meritës, reformave konkrete dhe respektimit të vlerave europiane.
















