Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, priti sot Richard Deasy, Drejtorin e ri të ICITAP si dhe drejtuesin e Çështjeve të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të SHBA në Tiranë, me të cilët diskutoi për zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e forcës goditëse.
Ministri theksoi se qeveria shqiptare ka një bashkëpunim të gjatë dhe të frytshëm me Departamentin Amerikan të Drejtësisë ku veçoi Programin e Trajnimit dhe Asistencës në Hetimet Kriminale (ICITAP).
“Me Drejtorin e ri diskutuam mbi intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Intensifikimi i forcës goditëse të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me SHISH, SPAK dhe prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm kundër këtij fenomeni, do të na mundësojë rezultatet e pritshme nga publiku”, deklaron Balla në rrjetet sociale.