Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka njoftuar ditën e sotme se ka hyrë në fuqi regjimi i lirë i trafikut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.
“Sot fillon zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në pikat e veçanta të kalimit kufitar. Ndërsa në Pikat Kufitare të Morinës dhe Vermicës do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit”, shkruan Balla në rrjetin social “Facebook”.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, firmosur më 26 nëntor 2021, zona kufitare e lëvizjes së lirë të banorëve me leje të trafikut lokal kufitar është deri në 30 km brenda territorit të palëve nënshkruese dhe shtetasit në të dyja anët do të përfitojnë shërbime të njëjta si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas të të dyja vendeve.