Skenar të porositur e ka quajtur deputeti i PS-së, Taulant Balla veprimin e opozitës në seancën e sotme të Kuvendit. Në një prononcim për mediat, Balla ka thënë se sulmi ndaj Ramës në foltore nuk ishte i papritur, pasi ishte një skenar për të cilin shumica ishte në dijeni.
“Ne e dimin planin e PD, që gjatë kohës që kryeministri të flasë të sulmojnë foltoren, se nuk kisha dëgjuar ndonjëherë që nëse një deputeti i thuhet lule është fyerje, tufë me lule, edhe lulet janë gjë e bukur në gjuhën shqipe. Ne e dinim, bëhet fjalë për përpjekje të dështuar pas shuplakës së rëndë që partnerët i dhanë opozitës për sjelljen destruktive për miratimin e reformës në drejtësi. Plani i dytë i opozitës pas bllokimit do bëjnë kërkesë për përjashtimin e kryeministrit nga seanca për thyerje të rregullores, nuk ka se si byroja të miratojë diçka që nuk ekziston, e pastaj do bojkotojnë kuvendin që të mbajnë PD jashtë për të bllokuar reformën. Edhe orën e kishin në 12.30 sulmin ndaj Ramës, gabuan vetëm me pak minuta” tha ai.