Drafti i dalë nëpër media gjatë fundjavës për dënimin me burg për tradhtinë bashkëshortore apo më shumë se 1 martesë, ka ngjallur debat publik, kjo edhe për shkak të paqartësive që ekzistojnë.
Emisioni Opinion në Tv Klan trajtoi këtë draft-propozim, ku u tha se njëri nga draftet e dalë në media nuk është i saktë.
Avokati Gentian Rumano, i ftuar në studio, tha se 2 pika të këtij neni bien në përplasje me njëra-tjetrën, ndërsa theksoi se drafti është i pazbatueshëm, për shkak bigamia është aktualisht në Kodin e Familjes dhe nuk mund të jetë dhe vepër penale, për sa kohë që ligji shqiptar lejon vetëm një martesë njëkohësisht.
Ai shtoi gjithashtu se ky draft-propozim nuk prek marrëdhëniet paralele dashurore.
“Bigamia është një koncept që është i liddur me kodin e familjes. Ky nen është i pazbatueshëm, nuk lejohet në Shqipëri që të bësh 2 martesa. Ky ka dhe një problem, kemi një përplasje të pikës 1 me pikën 3. Ky draft nuk është draft, ky draft nuk ekziston.
Por edhe drafti tjetër është i pazbatueshëm. Nëse do miratohet ky draft, nuk do kemi asnjëherë një çështje penale që do ngrihet për bigami. Bigamia është mirë që qëndron në kodin e familjes por nuk mundet dot që të jetë edhe vepër penale.
Nëse do ndodhi një rast i tillë ky nen nuk e përfshin. Praktikisht te neni 593 ka një përplasje midis pikës 1 dhe pikës 3. Të gjithë çunat e gocat që duan të kenë marrëdhënie paralele të jenë rehat se nuk i prek ligji”, u shpreh avokati Gentian Rumano.