“Qytetarët e Fierit kanë denoncuar uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël në Plazhin e Semanit dhe ndërkohë që kjo ndodhte, policia me forca të armatosura kishte bllokuar rrugët për të mbajtur larg dëshmitarët”. Kështu deklaroi nga Kryesia e Kuvendit, Flamur Noka, deputet i PD dhe njëherësh drejtues i Komisionit të Sigurisë.
“Denoncimi është bërë me foto dhe të gjitha dëshmitë janë, se kemi të bëjmë me avionë tipikë të transportit të drogës”, vijoi ai.
Policia ka thënë se trupat e armatosura gjenden aty për të mbrojtur pyjet. “E vërteta është se policia gjendet aty me urdhër të Saimir Tahirit për të mbrojtur trafikun e drogës. Shefat e policisë aty, janë në shërbim të habilajve dhe kanë hisen e tyre në këtë biznes kriminal”, vijoi Noka.