Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Autogoli energjetik rus me Turqinë

2015/12/07 at 9:44 AM
në Aktualitet, Te Fundit, Unë shkruaj
Kohë leximi: 8 min
A A
Autogoli energjetik rus me Turqinë

Shaban MURATI


Retorika ka tërhequr zvarrë pas vetes diplomacinë komuniste të Bashkimit Sovjetik, por duket se kjo sëmundje gjenetike po bën të njëjtën gjë edhe me diplomacinë e Rusisë sot. Provë e konceptimit dhe e ndërtimit të gabuar të marrëdhënieve ndërkombëtare me sistemin e prioritetit të retorikës mbi diplomacinë është vendimi i qeverisë ruse për të pezulluar ndërtimin e gazsjellësit rus “Turkish Stream”, që do të transmetonte gazin rus nëpërmjet territorit turk në drejtim të Europës. Ministri i Energjisë i Rusisë, Alekandër Novak, njoftoi në 3 dhjetor se “tani të gjitha negociatat për ‘Turkish Stream’ janë pezulluar, veçanërisht duke konsideruar faktin se aktiviteti i komisionit ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar është pezulluar gjithashtu me dekret qeveritar”.

Të gjitha mjetet e propagandës ruse me jashtë po përqendrohen në paraqitjen e këtij pezullimi si një masë ndëshkimore ndaj Turqisë për çështjen e bombarduesit rus, të rrëzuar në hapësirën ajrore të Turqisë. Duhet bërë një parantezë dhe duhet nënvizuar se që në ditët e para të tetorit, menjëherë pas dislokimit të forcave ushtarake ruse në Siri, avionët ushtarakë rusë shkelën disa herë hapësirën ajrore turke. Qeveria e Turqisë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO­s paralajmëruan Rusinë të mos përsëriste dhunimin e hapësirës ajrore turke, që është dhe hapësirë ajrore e NATO­s. Qeveria turke e paralajmëroi qeverinë ruse se do të goditej çdo avion, që do të shkelte pa leje hapësirën ajrore turke. Moska i shpërfilli këto paralajmërime turke e atlantike dhe vazhdoi në të njëjtën linjë, dhe nuk duhej të habitej nga rezultati që ndodhi në 24 nëntor.

Ata që kanë ndjekur nga afër kronologjinë dhe dinamikën e projektit rus të gazsjellësit “Turkish Stream” dhe të bisedimeve midis Rusisë dhe Turqisë, nuk është vështirë të konkludojnë se vendimi rus për të pezulluar ndërtimin e tij mund të ketë efekt bumerang dhe se nuk ia vlen që, për hir të qëllimeve ditore të politikës së brendshme, të rrezikosh interesat afatgjata të marrëdhënieve me partnerë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare si Turqia, në një kohë që Rusia nuk ka shumë miq ndërkombëtarë. Personalizimi i krizës ruso­turke nga presidenti Vladimir Putin nuk duket udhërrëfyes i mirë për vetë Rusinë dhe rolin e saj rajonal dhe kontinental.

Analisti rus Kostantin Sonin, shkruante në “Njezavisimaja gazeta” në 2 dhjetor, në artikullin me titull “Sanksionet kundër Turqisë janë sanksione kundër rusëve”: “Ka një tablo irracionale të botës nga udhëheqja politike ruse. Marrja e vendimeve të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të ekonomisë bëhet në këmbë, jashtë çdo kuadri institucional. Lëvizja drejt autarkisë së tipit sovjetik nuk mund të jetë strategji racionale”. Çmimi për t’iu paguar retorikës është shumë i lartë. Pezullimi i gazsjellësit është një autogol energjetik rus. “Turkish Stream” është një projekt për ndërtimin e një gazsjellësi ndërkombëtar rus, që planifikohej të transmetonte gazin nga Deti i Zi nëpër territorin e Turqisë dhe pastaj nëpër Greqi, Maqedoni, Serbi, dhe më tej Hungari e Austri. Është një projekt, që u shpall me bujë nga vetë presidenti rus Vladimir Putin në 1 dhjetor të vitit të kaluar gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara.

Shpallja ishte rezultat i bisedimeve paraprake dhe i rënies dakord në parim të të dyja vendeve për të ndërtuar gazsjellësin rus nëpër Detin e Zi dhe nëpër territorin e Turqisë. Kaq i madh ishte interesi rus, saqë Presidenti i Rusisë i bëri thirrje Bashkimit Europian të vinte ta merrte gazin rus në kufirin e Turqisë me Greqinë.

Gazsjellësi mori emrin “Turkish Stream” për shkak të rëndësisë që kishte Turqia në realizimin e këtij projekti dhe rolit të ri energjetik të saj si stacion qendror për gazin rus drejt Europës. E entuziazmuar nga perspektiva e këtij projekti, Rusia hartoi edhe planin e shtrirjes së tij në shtetet që kanë politika miqësore dhe të afërta me Moskën, si Greqia, Maqedonia, Serbia dhe “Republika Serpska”. Gazsjellësi “Turkish Stream”, i projektuar nga Kremlini për të zëvendësuar gazsjellësin e anuluar rus “South Stream”, u konsiderua nga strategët rusë si një instrument i ri i sigurimit të dominimit energjetik të Rusisë në Europë dhe si një kanal i ri i penetrimit të influencës ruse në Ballkan, nëpërmjet të ashtuquajturit aks energjetik ortodoks në rajon. Kaq e interesuar ishte Rusia, saqë ishte planifikuar prej saj që në dhjetor ose në janar të nënshkruhej marrëveshja dypalëshe me Turqinë.

Natyrisht, edhe Turqia kishte interesat e saj në ndërtimin e këtij gazsjellësi, që do të shtonte kuotën e gazit për konsum të brendshëm në vend dhe do të kushtëzonte uljen e çmimit të gazit rus të destinuar për tregun turk. “Turkish Stream” është një projekt, që parashikohet me një kosto 12 miliardë dollarë dhe që, bashkë me ndërtimin e centralit bërthamor në Turqi nga Rusia në vlerën 20 miliardë dollarë, do të krijonte një ndërlidhje më të madhe të interesave reciproke midis dy shteteve. Kompania shtetërore ruse e gazit “Gazprom” ka bërë deri tani shpenzime të mëdha për projektin e gazsjellësit “Turkish Stream”. Ajo ka shpenzuar rreth 2 miliardë euro për të blerë tubat për linjën e parë dhe të dytë të tubacioneve të gazsjellësit, që do të shtrohen në fundin e Detit të Zi për në Turqi. “Gazpromi” ka shpenzuar 400 milionë euro vetëm për të mbajtur në gatishmëri nga dhjetori i vitit 2014 deri në korrik të vitit 2015 dy anije të specializuara për shtrimin e tubacioneve në Detin e Zi.

Është e vërtetë se Turqia ka nevojë të madhe për gazin rus, por edhe Rusia ka nevojë të madhe për valutën, që fiton nga blerësi i dytë më i madh i gazit rus në Europë, që është Turqia. Rusia, me atë stanjacion ekonomik që e ka përfshirë qysh nga viti 2009, me atë krizë të mprehtë ekonomike që nga viti i kaluar, ku sipas FMN­së pritet që GDP­ja të bjerë me 3.8 për qind këtë vit, me atë rënie në pikiatë të vlerës së rublës dhe me atë rënie të madhe të çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, që ka goditur rëndë nivelin e të ardhurave të arkës së shtetit, ka po aq nevojë jetike për blerës të fuqishëm të gazit. Sepse raporti shitës­blerës gazi është ndërvarësi reciproke, sepse edhe gazi mund të “kalbet” si domatet, nëse nuk ke blerës.

Tani Rusia shpall se pezullon këtë projekt gazsjellësi, i cili ishte interes i saj i madh energjetik, strategjik dhe gjeopolitik, në këmbim të përfitimit retorik, propagandistik dhe personal, për të dhënë një provë force se po ndëshkon Ankaranë. Për ta bërë më mburrës aktin rus, presidenti i kompanisë “Gazprom”, Aleksej Miler, deklaroi në 3 dhjetor se tani Turqia në radhë të parë duhet t’i drejtohet Rusisë, nëse është e interesuar për projektin dhe Moska do ta konsiderojë një kërkesë, nëse do të paraqitet ndonjë nga Turqia. Por Presidenti i Turqisë Erdogan, në datën 5 dhjetor paraqiti një pamje tjetër të së vërtetës, duke deklaruar se ka qenë Turqia ajo që e ka pezulluar projektin e gazsjellësit rus, meqë Rusia nuk ka plotësuar kushtet e Ankarasë për atë bashkëpunim, dhe kjo ka ndodhur para incidentit me avionin.

Përmasat e mëdha disproporcionale emotive, personale, diplomatike, politike, ndërkombëtare që i dha Kremlini këtij incidenti, krijojnë përshtypjen se Moska mezi e kishte pritur rastin të kalonte në një fazë keqësimi të menjëhershëm të marrëdhënieve me Turqinë. Në artikullin “Gabimet e Rusisë me Turqinë”, botuar në “Gazetën Shqiptare” në 12 tetor, kam theksuar se “ka një kthesë të politikës dhe të qëndrimit të Rusisë ndaj Turqisë. Duke acaruar artificialisht marrëdhëniet me Turqinë, Rusia bën një autogol të madh energjetik”. Tani kthesa u vërtetua dhe Rusia po shkon me një këmbëngulje alogjike drejt tensionimit të situatave, sipas modeleve më të errëta të kohës së luftës së ftohtë. Është një menaxhim i pakontrolluar i krizës në planin dypalësh, në planin rajonal dhe në planin ndërkombëtar.

Modelet e luftës së ftohtë e kanë provuar joproduktivitetin e tyre dhe, ajo që është më e rëndësishme, është realiteti strategjik i një Turqie anëtare e NATO­s, faktor i pakapërcyeshëm, që në Kremlin kurrsesi nuk mund ta neglizhojnë.

Pezullimi i gazsjellësit rus “Turkish Stream” është në fakt autogoli i tretë energjetik i Rusisë. Autogoli i saj i parë është plani rus për të shkarkuar Ukrainën nga roli i saj si transmetuesja kryesore e gazit rus në drejtim të Europës. Ky plan u hartua pas fitores së “revolucionit të portokalltë”, që solli në fuqi qeverinë properëndimore të presidentit V. Jushçenko. Rusia planifikoi shmangien e Ukrainës nga tranzitimi i gazit rus dhe në vitin 2007 hodhi në qarkullim projektin e gazsjellësit “South Stream”, që do të kalonte nga Bullgaria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, në drejtim të Austrisë. Ky mund të quhet autogoli i saj i parë, sepse presioni energjetik rus nuk arriti ta shmangë Ukrainën nga orientimi drejt BE­së, me gjithë pushtimin e Krimesë. Autogoli i dytë mund të konsiderohet projekti i gazsjellësit “South Stream”, i cili u planifikua nga Rusia të ndërtohej në kundërshtim me rregullat, legjislacionin dhe interesat e BE­së dhe pa pyetur Brukselin.

Komisioni Europian u kujtoi shteteve anëtare, pjesëmarrëse në projektin rus, detyrimin e zbatimit të legjislacionit të BE­së. Në këtë kuadër Bullgaria, e cila ishte pika e nisjes së gazit rus nga Deti i Zi nëpër kontinent, e pezulloi projektin, megjithëse ai kishte filluar ndërtimin e tij në Bullgari dhe Serbi. Presidenti rus u detyrua të shpallë anulimin e gazsjellësit “South Stream” në Ankara, ku, për të kompensuar efektet e dështimit në Bullgari, shpalli ndërtimin e gazsjellësit të ri “Turkish Stream”.

Strategjia konfuze energjetike ruse, e ndërtuar kryesisht mbi llogari gjeopolitike dhe jo ekonomike, vetëpëson tani dështimin e tretë të rëndësishëm, dhe ky rezultat nuk mund të mbulohet me ngjarje apo incidente të rastit në Ukrainë, Bullgari dhe Turqi. Është një sistem të menduari dhe të vepruari politik dhe diplomatik rus, i cili po komprometohet gjithnjë e më tepër nga ambiciet gjeopolitike ruse, përtej mundësive, në rajonet e tjera të botës dhe sidomos në Lindjen e Mesme.

Vëzhguesit diplomatikë, rusë dhe të huaj, vazhdojnë të jenë të habitur nga lehtësia, me të cilën Kremlini po thellohet në vijën e keqësimit të marrëdhënieve me Turqinë, në një kohë që, po të mos ishte ndërhyrja ruse në Siri, nuk do të ndodhte as incidenti me shkeljen e hapësirës ajrore turke. Kjo tregon se llogaria strategjike për ndërhyrjen dhe dislokimin e forcave ushtarake ruse në Siri, nuk ka marrë në konsideratë kostot. Qëndrimi i Moskës në krizën e tanishme rusoturke konsiderohet kthesë e pakuptueshme nga vetë analistët rusë. Një nga analistët gjeopolitikë më të njohur rusë, Fedor Lukianov, shkruante në “Gazeta.ru” në 3 dhjetor se: “Dy javë më parë, Ankaraja ishte partner i privilegjuar dhe shumë i ngushtë, krejt i integruar në ekonominë tonë në nivel jo vetëm të marrëveshjeve të mëdha shtetërore, por edhe në jetën e qytetarëve tanë. Pas rrëzimit të bombarduesit, u deshën pak ditë që praktikisht e gjithë infrastruktura e lidhjeve, në mos e asgjësuar, por e shkurtuar në minimum”.

Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira midis Rusisë dhe Turqisë janë një dobi reciproke dhe në të mirë të dy shteteve dhe të paqes e stabilitetit në disa rajone të botës, që nga Azia Qendrore e deri në Lindjen e Mesme. Për hir të së vërtetës duhet thënë se vlerësimi për këto marrëdhënie dypalëshe ka qenë më objektiv nga ana e Ankarasë, e cila ka ditur ta ruajë ekuilibrin e marrëdhënieve me Moskën edhe gjatë krizës gjeorgjiane, edhe gjatë krizës ukrainase, edhe gjatë krizës siriane. Tani befas konstatohet se Moska kërkon ta prishë këtë ekuilibër marrëdhëniesh dhe nuk është e qartë përse në udhëheqjen ruse tani nuk po vlerësojnë në shkallën e duhur se Turqia është për Rusinë më e rëndësishme se Siria, se Greqia, se Qipro dhe se Izraeli.

Impostimi retorik i marrëdhënieve midis dy shteteve është një metodë veprimi shtetëror jo e mirëllogaritur. Ai mund të ketë efekte emotive dhe të rritjes së imazhit personal brenda vendit për presidentin rus, por marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë çështje e “nderit” të presidentit. Retorika nuk mundet të tërheqë zvarrë diplomacinë si në kohërat e perënduara sovjetike. Siç ka perënduar edhe koha e diplomacisë zaporozhase të Kremlinit. /Gazeta Shqiptare/



Ju sugjerojmë

Merz i thotë Trumpit se dëshiron më shumë presion ndaj Rusisë
Bota

Merz i thotë Trumpit se dëshiron më shumë presion ndaj Rusisë

5 Qershor, 2025 10:28 pm
A rrezikon mandati yt nga rinumërimi? Shehaj: Çdo gjë është e mundur në Shqipëri
-U tha në Opinion

A rrezikon mandati yt nga rinumërimi? Shehaj: Çdo gjë është e mundur në Shqipëri

5 Qershor, 2025 9:52 pm
Skandali seksual, Elon Musk: Trump është në dosjet e Epstein
Bota

Skandali seksual, Elon Musk: Trump është në dosjet e Epstein

5 Qershor, 2025 9:50 pm
Belind Këlliçi në Opinion: Pretendojmë mandatin e 14 në Tiranë!
-U tha në Opinion

Belind Këlliçi në Opinion: Pretendojmë mandatin e 14 në Tiranë!

5 Qershor, 2025 9:36 pm
Trump tha se u çmend, Musk: Pa mua do t’i kishe humbur zgjedhjet
Bota

Trump tha se u çmend, Musk: Pa mua do t’i kishe humbur zgjedhjet

5 Qershor, 2025 9:16 pm
Tritan Shehu: Procesi i votimit është manipuluar tërësisht!
Politikë

Tritan Shehu: Procesi i votimit është manipuluar tërësisht!

5 Qershor, 2025 8:57 pm
Dueli me Serbinë/ Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet, Manaj stërvitet i veçuar
Sport

Dueli me Serbinë/ Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet, Manaj stërvitet i veçuar

5 Qershor, 2025 8:47 pm
Ukraina godet bazën raketore të Rusisë
Bota

Ukraina godet bazën raketore të Rusisë

5 Qershor, 2025 8:40 pm
Sherr mes të rinjve në Konispol, dy prej tyre në gjendje të rëndë
Aktualitet

Aksident i rëndë në Burrel, 6 të lënduar nga përplasja e dy makinave

5 Qershor, 2025 8:23 pm
Tërhiqet Trump, pranon të shtyjë deri më 9 korrik tarifat ndaj BE
Bota

Trump për negociatat tregtare me BE: Do të kemi një marrëveshje të mirë

5 Qershor, 2025 8:04 pm
Para
Kur Berisha, Pashko, Zogaj dhe Selami ishin bashke/foto lajm.

Kur Berisha, Pashko, Zogaj dhe Selami ishin bashke/foto lajm.

Kush e bashkon politiken shqiptare?

Kush e bashkon politiken shqiptare?

Rrahu Florin tek Kënga Magjike, policia shpall në kërkim Stine

Zbardhet dëshmia e plotë, ja çfarë tha Stine në polici për Florin

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Merz i thotë Trumpit se dëshiron më shumë presion ndaj Rusisë

Merz i thotë Trumpit se dëshiron më shumë presion ndaj Rusisë
5 Qershor, 2025

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka ofruar të enjten gatishmërinë e tij për forcim lidhjesh me Shtetet e Bashkuara, teksa ka...

Lexo më shumë

A rrezikon mandati yt nga rinumërimi? Shehaj: Çdo gjë është e mundur në Shqipëri

A rrezikon mandati yt nga rinumërimi? Shehaj: Çdo gjë është e mundur në Shqipëri
5 Qershor, 2025

Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, i pyetur nëse rrezikon mandati i tij si deputet në qarkun e Tiranës, pas...

Lexo më shumë

Skandali seksual, Elon Musk: Trump është në dosjet e Epstein

Skandali seksual, Elon Musk: Trump është në dosjet e Epstein
5 Qershor, 2025

Në një deklaratë të fundit publike që po bën bujë në rrjetet sociale, Elon Musk ka hedhur akuza të rënda...

Lexo më shumë

Belind Këlliçi në Opinion: Pretendojmë mandatin e 14 në Tiranë!

Belind Këlliçi në Opinion: Pretendojmë mandatin e 14 në Tiranë!
5 Qershor, 2025

Ditë e sotme, KAS vendosi që të rinumërohen votat e Tiranës, pas kërkesës së kandidatit të PD, Asllan Dogjani. Për...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com