Qeveria e Austrisë ka deklaruar se do të rivendosë masën e mbajtjes së maskës brenda dyqaneve dhe në disa vende të tjera, pasi autoritetet e vendit janë shqetësuar me rritjen e rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se veshja e maskave do të bëhet e detyrueshme që nga e premtja.
“Ne jemi duke parë një rritje të numrave të të infektuarve në Austri “, u tha Kurz gazetarëve.
Në këtë vend të Bashkimit Evropian aktualisht është e detyrueshme mbajtja e maskës në transport publik dhe barnatore.
Austria ka rreth nëntë milionë banorë. Deri më tani ka raportuar më pak se 20,000 raste dhe 710 vdekje nga COVID-19. Por, numri i të infektuarve është rritur në javët e fundit./ REL