Në lidhje për emisionin “Opinion”, gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka folur për vrasjen Gilmando Danit dhe plagosjen Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Daci tregoi se sa kamera sigurie ka në këtë zonë me fluks lëvizjesh thuajse gjatë gjithë kohës.
“Vetëm në të majtën time janë tetë kamera, në të djathtën time kam katër kamera. Me lëvizjen që kam bërë në këmbë kemi parë mbi 30 kamera sigurimi nga rrethrrotullimi deri te parkimi i aeroportit, pa harruar kamerat e bizneseve përgjatë rrugës. Këto kam arritur të numëroj unë me sy të lirë”, bëri me dije gazetarja.
Sipas Dacit, automjeti i shënjestruar ka qenë kundravajtje, ndërsa makina e autorëve ka bërë gjysmë rrethin e Rinasit dhe më pas është larguar në drejtim të Fushë-Krujës.
Po a ka forca policore të staciopnuara në atë zonë?
“Përgjithësisht qëndrojnë te cepi i rrethit, sot për habi, nuk kanë qenë patrullat të stacionuara. Komisariati i Policisë Kufitare të Rinasit është të paktën 100 m larg në vijë ajrore.”
“Duket e habitshme dhe pak paradoksale, sepse njëri nga autorët ka zbritur nga makina ka qëlluar dhe më pas kanë ikur. Duket sikur çdo gjë ka qenë e orkestruar”, shtoi ajo.
Ku është djegur ekzaktësisht automjeti i atentatorëve?
“2 deri në 3 km nga rruga kryesore që të çon drejt Fushë-Krujës, është një rrugë rurale”, u përgjigj Daci.
“Çdo gjë vijon normalisht, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Janë dy biznese që janë dëmtuar sepse dyshohet se kanë qenë plumba tejshpues”, përfundoi gazetarja sa i takon punës në Aeroportin e Rinasit dhe situatës aktuale në zonë.
















