Ndonëse nuk ka ende autor për atentatin e së dielës në Vlorë, Policia dyshon se motivi kryesor i atentatit të jetë për larje hesapesh. Kjo, pasi i plagosuri Armando Sulejmani ishte anëtar i bandës së Gaxhait, e cila ka vepruar në Vlorë në vitin 1997.
Ai është akuzuar dhe dënuar për vrasje, me 16 vite burg. “Panorama” shkruan sot se fillimisht Sulejmani i akuzuar për vrasje është dënuar me 25 vite burg, ndërsa më pas, nga shqyrtimet e mëtejshme të dosjes ai u dënua me 16 vite heqje lirie.
Dosja e tij u shqyrtua nga Gjykata e Lartë, e cila gjeti shkelje në çështje, duke mos e pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë, marrë në vitin 2003.
Në vitin 2012 u vendos që të shqyrtohej sërish dosja për Sulejmanin, i cili akuzohej për vrasjen e Elton Tatos, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Robert Borakut.
Pas rikthimit të çështjes për shqyrtim, “Çipurit” iu falën 9 vite burg. Pak kohë më parë, ai kishte lënë qelitë, por ndonëse nuk e ka pranuar se ishte i armatosur me armë zjarri, policia ka dyshime se ai ruhej për ndonjë atentat të mundshëm.