Deri në përfundim të hetimeve, Florian Bushi, ish-agjenti i Shërbimit Informativ Shtetëror, i arrestuar dy javë më parë, do të qëndrojë në burg.
Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, marrë në 22 janar.
Edhe në këtë seancë mbrojtja pretendoi se 33-vjeçari nuk ishte i vetmi person që kishte akses në informacionet e klasifikuara të gjetura në telefonin e Ilir Memushaj.
Ky i fundit është i arrestuar si një nga autorët e dyshuar të atenatit të Mbrostarit në Fier. Në 8 janar në këtë vend u vra Granit Kasa dhe u plagosën Klement Kastrati dhe Elton Margariti.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, agjenti i SHISH, ka konsumuar veprën penale të korrupsionit. Nga hetimi është faktuar se Florian Bushi i ka shitur informacione të klasifikuar mbi disa përgjime që po kryheshin ndaj Klement Kastratit dhe Granit Kasës, të cilët sapo ishin kthyer nga Holanda.
Dyshohet se mes grupit të Memushajt dhe Klement Kastratit ka patur prishje të pazareve të drogës jashtë vendit.
Policia shkencore arriti të faktojë se informacioni i gjetur në telefonin e Memushajt ishte printuar nga kompjuteri ku punonte Florian Bushi. Më pas ky i fundit e ka fotografuar me telefonin e tij, duke ia dërguar më pas Ilir Memushajt. /Tv Klan/