Policia e Kukësit ka asgjësuar 894 bimë narkotike kanabis gjatë aksionit të koduar “Bjeshkët e Nemuna” në territoret e fshatrave Gjonpepaj, Lekbibaj dhe Mserr.
Gjatë kontrolleve nga toka dhe nga ajri me drone, u zbuluan 178 bimë kanabis në fshatin Gjonpepaj, në fshatin Mserr janë gjetur të kultivuara 428 bimë dhe në fshatin Lekbibaj janë gjetur të kultivuara 288 bimë kanabis.
Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Policia procedoi penalisht në gjendje të lirë kryepleqtë e fshatrave Gjonpepaj dhe Lekbibaj, si dhe përgjegjësit e shërbimit pyjor në këto dy fshatra, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Vijojnë veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të këtyre rasteve.