Scott Walker, një nga kompozitorët dhe këngëtarët më inovativë të shekullit të 20-të, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga shtëpia e tij diskografike, 4AD.
“Për gjysmë shekulli, gjeniu Noel Scott Engel ka pasuruar jetën e mijëra njerëzve”, thuhet në deklaratë, ndërkohë që shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Ai ishte një nga këngëtarët më të respektuar në botën e rock-ut dhe të pop-it. Pavarësisht se ishte nga yjet më të mëdhenj të skenës pop të viteve 1960, Walker i kaloi vitet e fundit i tërhequr nga njerëzit. Sipas “The Guardian” ai u bë i njohur fillimisht me grupin “The Walker Brothers”, para se të krijonte një varg albumesh soliste (Scott, Scott 2, Scott 3 dhe Scott 4), që konsiderohen si disa nga albumet më të çmuara dhe që thyen kufijtë e epokës.
Ai më pas u zhvendos nga skena muzikore, ndërsa solli albume eksperimentale, përfshirë “Tilt” në 1995-n dhe “The Drift” në 2006-n, që reflektonte masakrën e Srebrenicës. Albumet e tij eksperimentale shqyrtuan kompleksitetin e dashurisë dhe të vdekjes.
Projekti i tij i fundit ishte muzika e kompozuar për filmin e Natalie Portman, “Vox Lux”./Opinion.al