Ermiri mezi i ndahet pasqyrës së një fotografi në qendër të Prishtinës. Para se fotografi të shkrepë fotot ai i fut edhe një herë gishtat nëpër flokë për t’i rregulluar.
“Prit veç edhe pak, se m’u kanë rritë flokët e s’po më rrinë kurrqysh”, i thotë 14-vjeçari fotografit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Hajt me babën, se nuk ta këqyrin amerikanët frizurën”, i flet Haziri prej përtej perdes, që ndan pjesën për fotografim dhe atë për mbushjen e formularëve për aplikim në lotarinë amerikane.
Hazir Ramadani me bashkëshorten dhe gjashtë fëmijë i kanë varur të gjitha shpresat te Amerika. Nevoja për t’u larguar nga Kosova për këtë familje tetanëtarëshe viteve të fundit po shkon duke u rritur. Me një “rrogë modeste”, siç e quan Haziri, Kosova nuk u ofron kushte për jetë fëmijëve të tij…