Vetëm dy javë kanë kaluar nga vendimi popullor, për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Vendim, që tronditi mbarë Evropën, por që u shoqërua edhe me një pikëpyetje të madhe, që nxit reflektim, teksa përgjegjësit e kësaj situate, pa asnjë plan për të ardhmen, pa asnjë vizion, dhanë të gjithë dorëheqjen, njeri pas tjetrit. Kryeministri i vendit Kameron, i cili mban përsipër barrën e një vendimi krejtësisht të panevojshëm për çuarjen e vendit në një referendum, kur tashmë kërkesat për ripozicionim të Britanisë në BE, ishin të plotësuara nga Unioni.
I panevojshëm në kuptimin e interesave politikë dhe ekonomik të vendit, por sigurisht i domosdoshëm për rifuqizimin e pozitave të tij partiake dhe personale. Pas tij, rishikon pozitat e tij edhe Boris Xhonson, duke e braktisur fushën e betejës, nga ku përgjegjësitë janë të një niveli historik. Dhe pas Xhonsonit, tërhiqet nga gara edhe Xhorxh Osborne, Ministri i Financave.
Por, si shpjegohet kjo sjellje aspak e përgjegjshme, e disa prej figurave kryesore politike britanike në një moment të fortë krize për vendin?
Një reflektim shumë interesant, ofrohet nga Aleanca e Gazetave Evropiane (LENA), ku çdo javë botohet një kronikë evropiane nga Berlini, Roma, Brukseli, Madridi, Gjeneva apo Zyrihu. Shkrimi i mëposhtëm, i dy korrespondentëve gjermanë të Die Welt, në Londër, i përgatitur dhe i përshtatur në shqip nga DITA, sjell një reflektim ndryshe, përmes jetës së elitës politike britanike, të gjeneratave të reja, që përgatiten për udhëheqjen e vendit, karakteri i të cilëve formohet herët, në një ambient tejet të privilegjuar financiar, mes ambicies së fortë për dominim, konkurrencë, dhe pushtet me çdo kusht. Një ambient, që duket se kontribuon edhe në zhvillimin e prirjeve negative të një mungese të lartë përgjegjësie dhe karakteri.
Pazaret e vogla të arrogantëve britanikë
Mbrëmja ishte e gjatë. Edhe për anëtarët e saj, të mësuar me këtë lloj feste dhe komplet të droguar atë mbrëmje, ajo duhet të ketë qenë e paharrueshme. Kishin lënë takim në një restorant fshati, afër Oksfordit. Të veshur me kostume frak. Hëngrën dhjetë zogj të mbushur, të pjekur në zgarë. Shampanja, vodka dhe vera rridhnin lumë.
Ëmbëlsirën e gëlltitën pa takëme. Kur prostitutat e porositura, refuzuan të zvarriteshin nën tavolinë, për t’i bërë gjithsecilit nga një dhuratë të vogël, thërritën një tjetër, të cilës i propozuan 27 mijë lira. Pastaj, morën një dozë kokaine, që i eksitoi, i shndërroi të gjithë në më të pahijshëm, foshnjarakë, të çmendur, cipëplasur. Filluan të thyenin pjatat, të thyenin gotat, të shkulnin llambat nga tavani, pikturat nga muri, të prisnin mobiliet prej lëkure, dhe të nxirrnin përmbajtjen e tyre. Përgjegjësi i lokalit përfundoi në spital. Ato fituan, dhjetë vetë kundër një. Ai përfundoi me një sy më pak dhe një mushkëri të shpuar. Lokali u shkatërrua tërësisht dhe prostituta e kishte zemrën e thyer.
Të nesërmen në mëngjes, anëtarët e Klubit kishin pak turp nga aktet e tyre. Nuk kishin dashur të bënin aq shumë dëme. Pasi kishin kaluar një natë në qelinë ku bëhesh esëll, ata ishin të lirë të ndiqnin fatin e tyre, dhe t’i ofronin shërbime të mëdha vendit të tyre, si elita e tij e ardhshme.
Kjo është në linja të përgjithshme, intriga e “Klubit të Riotëve” *. Filmi është një trillim. Por, në njëfarë mënyre, Klubi i Riotëve, ofron përngjasime shqetësuese me situatën në të cilën Britania e Madhe gjendet, dy javë pas votës së Brexit. Vendi është në shkatërrim. Vetëm kriminelët, të gjithë pasardhës të klasës superiore britanike, dolën të padëmtuar. Ato, nuk duhet as të pranojnë, as të riparojnë dëmet, që kanë kryer.
Fëmijët tipikë të elitave drejtuese
Klubi i Riotëve, është një kopje e klubit studentor të përzgjedhur dhe me reputacion të keq, në të cilin të gjithë përgjegjësit e lartë të referendumit bënin pjesë, Klubi Bullingdon, i krijuar që në vitin 1780, banketet e të cilit përfundojnë gjithashtu me shkatërrimin e restoranteve. Kryeministri David Kameron, ka qenë anëtar i këtij klubi, si edhe aleati i tij i afërt, Ministri i Financave Xhorxh Osborn dhe Boris Xhonson, ish kryebashkiak i Londrës, biondi, që s’lë gjë pa bërë, që luftoi kundër shokëve të vjetër të pijes, për Brexit.
Që të tre, kanë dalë nga borgjezia. Në sistemin e mirë-gdhendur të klasave britanike, do t’i klasifikonim mes “ Klasës së Mesme të Lartë” dhe “Klasës së Ulët të Lartë”. Që të tre, janë djem pasanikësh, fëmijë tipikë të elitave. Ky fenomen, zor se ekziston në kontinent. Por, elita britanike është e qëndrueshme prej shekujsh. Ajo është kursyer gjerësisht nga revoltat dhe revolucionet dhe ka qenë në gjendje të riprodhohet, pa dëmtime, nga njëra gjeneratë tek tjetra, në shkolla private, në universitete elitare, në klube xhentëlmenësh, dhe në organizmat e bamirësisë.
Është e qartë, se asnjë prej tre protagonistëve, nuk ka dashur të provokojë krizën aktuale. Ata, nuk e parashikonin të zhysnin vendin në krizën më të thellë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Brexit ndodhi nga pakujdesia. Megjithatë, Britania e Madhe nuk ka më qeveri, as opozitë dhe mbi të gjitha një plan për negociatat e Brexit. Paundi, ka renë në mënyrë të mahnitshme, po ashtu si edhe aftësia paguese e Britanisë së Madhe, dhe kapitali në bursa i ndërmarrjeve britanike është në rënie.
Madhësia e katastrofës është e tillë që asnjë prej ish studentëve të Klubit të Bullingdon-it, nuk dëshiron të rimarrë qeverisjen e vendit. Edhe pse objektivi i tyre i deklaruar ka qenë gjithmonë të drejtonin vendin, Kameron, Osborne dhe Xhonson, papritur nuk kanë më dëshirë të marrin këtë rol. Kryeministri do të jepte dorëheqjen, Ministri i Financave, që pretendonte të ishte pasuesi i tij, u tërhoq më në fund dhe Boris Xhonson, rivali i pamëshirshëm i të dyve, rishikoi pozitat e tij.
Vetëkënaqësi dhe mungesë konsiderate
Si arritëm në këtë pikë ? Situata është e komplikuar. Por, diku, në shkaqet komplekse të Brexit, fakti që protagonistët vijnë nga një shtresë sociale, në të cilën, pretendimi për pushtet është i lidhur me manovrimin ideologjik, konkurrenca e pamëshirshme, vetëkënaqësia dhe një lloj mungese konsiderate, luajnë një rol.
Një foto e famshme e vitit 1987, e bërë në oborrin e Kishës së Krishtit në Kolegjin e Oksfordit, tregon studentin David Kameron, në krah të shokëve të tjerë të Bullingdonit, me kostum frak, që pozon në mënyrë arrogante, si gjeneralët. Edhe pse, fotoja qarkullon në forumet e internetit, tashmë është e pamundur, që ajo të printohet. Kjo foto, thotë Kameron, e vë “thellësisht” në siklet. Boris Xhonson, e përshkruan këtë foto, si “një turp, që shpalos arrogancën dhe vetëkënaqësinë e tepruar, thuajse mbinjerëzore të studentëve”. Por, ai do të qëndrojë modest dhe politikisht korrekt. Mes shokëve të tij, asnjë prej të dyve, nuk e mohon origjinën e tij. Xhonsoni, i përshëndet ish studentët e tjerë, me thirrjen e luftës: «Buller! Buller! Buller!» Dhe Kameron, e ka çarmatosur vërejtjen e një shoku të partisë, që thoshte për të, se ai ka lindur me një lugë argjendi në gojë: “Nuk është e vërtetë. Kam lindur me dy.” Ky ndërgjegjësim i origjinave të tyre të privilegjuara, shoqërohet me një pretendim për pushtet, i nxitur që prej fëmijërisë së tyre, nga prindër ambiciozë. Mbrëmjen e referendumit, babai i Xhonsonit, deklaroi për shtyp se, djali i tij duhej të ishte kandidat. Plaku i vjetër, mbante një bluzë ku shkruhej “Qëndrim”. Ai luftoi që Britania e Madhe të qëndronte në BE, në kundërshtim me djalin e tij Boris. Megjithatë, ai priste nga ai që të ishte Kryeministër.
Rejçëll Xhonson, e motra e Borisit, nuk e fsheh entuziazmin e treguar nga vëllai i saj që në një moshë shumë të hershme dhe shpirtin e konkurrencës, që mbretëronte mes vëllezërve dhe motrave. Borisi, donte të ishte “mbreti i botës”, me çfarëdolloj mjeti. Shumë herët, ai mësoi se vetëm parimet e mirë ankoruara, mundet që ta pengonin. Kandidat konservator, humbës në presidencën e rrethit të debatit Oksford Union, Xhonsoni u prezantua vitin e ardhshëm, në zgjedhjet e partisë së qendrës së majtë, SDP dhe i fitoi.
Kameron u bë shefi i Partisë Konservatore, me të njëjtën lehtësi. Për t’u zgjedhur, i duhej t’i pëlqente ekstremit të djathtë të euroskeptikëve. Sapo kishte marrë funksionin, ai shpjegoi se “ Unë nuk jam një person thellësisht ideologjik. Unë jam pragmatik.”
Vullnet vetëvrasës për të shkuar deri në fund
Është sipas këtij pragmatizmi, që synon marrjen e pushtetit dhe qëndrimin në të, që të dy politikanët, kanë ndryshuar shumë herë sjelljen e tyre ndaj Bashkimit Evropian. Kur ishte Kryebashkiak i Londrës, Xhonsoni, ishte thellësisht proevropian. Dhe David Kameroni, konsiderohej si një euroskeptik i vërtetë, përpara se rrethanat t’a çonin drejt kampit të “Qëndrimit”.
Referendumi u caktua nga dy personazhe, që shumë mirë mund të kishin përfaqësuar pozicionin e kundërt ose, e thënë ndryshe, që nuk kanë qenë kurrë të bindur për atë, që përfaqësonin.
Në të njëjtën kohë, rivalët, dhanë prova të një vullneti vetëvrasës, për t’i shkuar deri në fund. Të dy, përdorën standarde të përbashkëta të përçmimit të mirësjelljes dhe të arsyes, deri në ekstrem. Kameron, paralajmëroi për një Luftë të Tretë Botërore dhe kërcënoi popullin me një “buxhet ndëshkues” me shkurtime dhe me rritje taksash, në rast të një Brexit. Xhonsoni, ofendoi Barak Obamën, krahasoi Bashkimin Evropian me Hitlerin, propagandoi shifra të rreme dhe u bashkua me racistët.
Përçmimi i rregullave të përbashkëta të mirësjelljes, është gjithashtu pjesë e Klasës së Lartë britanike. Boris Xhonsonit, nuk i është dashur kurrë të paguajë për gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij…Tek gazeta The Times, ai u pushua nga posti i redaktorit, pasi kishte falsifikuar një citim. Pak kohë më vonë, ai u angazhua tek gazeta The Telegraph. Kur ishte Sekretar Shteti, partia e falënderoi, pasi ai kishte mohuar një marrëdhënie dashurie, përpara se ta shpallnin kandidat për zgjedhjet e bashkisë, vetëm pak kohë më vonë. Ai do të kishte, të paktën, një fëmijë të paligjshëm dhe do të kishte provokuar shumë aborte. Ai i premtoi ndihmë shokut të tij të vjetër të Bullingdonit, Darius Guppy, kur ky i fundit donte të rrihte një gazetar, që e shqetësonte. E gjithë kjo, ka kontribuuar në famën e Xhonsonit dhe nuk e ka ndërprerë karrierën e tij.
Tani që festa ka mbaruar, Kameron, Osborne dhe Xhonson, thjesht do të “zhyten” njëherë dhe më pas do të pendohen. Kështu funksionon kjo gjë. Por, ata janë ende shumë të rinj, për ta rimarrë veten nga kjo çështje. Ndoshta, ata edhe do të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo bën pjesë në karakterin e xhentëlmenit britanik: të japësh gjithçka në garë, por më pas, t’i japësh dorën kundërshtarit tënd. /Gazeta Dita
(Die Welt)
EVA LADIPO STEFANIE BOLZEN
***
*Shën.red. Në film, grupi arrogant i studentëve të pasur britanikë, quhet Riot Club, në referim të emrit të Lordit Riot, një student satirik popullor i fundit të viteve 1700, që u qëllua në mënyrë fatale nga një profesor, pasi kishte marrëdhënie seksuale me gruan e profesorit. Në mbrojtje të aktit të tij, ai deklaroi se nuk e dinte që gruaja me të cilën kishte shkuar, ishte e martuar. “Nga sjellja e saj, mendova se nuk do të kishte qenë kurrë e kënaqur më parë.” Për të nderuar atë, një klub modern i dhënë pas kënaqësive u themelua, vetëm me një numër strikt, prej dhjetë anëtarësh.