Një efektiv i policisë kufitare në Portin e Durrësit, është arrestuar për shpërdorim detyrë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Sipas AMP-së efektivi 37-vjeçar, ka lejuar trafikun e armëve drejt Italisë. B.Xh., nuk kontrolloi një ‘Bizarke’ (Automjet qe transporton makina) në të cilin u gjetën 2 pistoleta.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur masën shtrënguese “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Inspektor B. XH., 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç, i cili ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.
Hetimet vazhdojnë për përfshirje të punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale”,-thuhet në njoftim.