Një 49-vjeçare dhe djali i saj 23-vjeç kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë. Sipas uniformave blu, R. D., ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve ku në bashkëpunim me djalin e saj ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Operacioni policor i koduar “Inside” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, si rezultat i një hetimi me metoda speciale proaktive.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve: Rozeta Dobi, 49 vjeçe dhe Havier Dobi 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së tyre efektivët e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.