Terroristja më e kërkuar në Greqi, Pola Rupa, një ndër krerët e organizatës terroriste “Lufta Revolucionare“ është ndaluar prej policisë greke në Athinë.
Policia thotë se së bashku me të, në banesë ndodhej edhe fëmija dhe një femër tjetër, 25 vjeç, e cila e strehonte gjatë arratisë së saj më shumë se 2-vjeçare. Mësohet se Rupa nuk ka kryer rezistencë gjatë arrestimit të saj.
Ajo u ka kërkuar autoriteteve të mos prekin fëmijën dhe është dorëzuar.
Pola Rupa dhe mikja e saj u dërguan në Drejtorinë e Anti-terrorit në Athinë, ku dhe do të merren në pyetje.
Vogëlushi ka qenë pranë nënës së tij gjatë gjithë viteve që ajo ka qenë në arrati. Mësohet se fëmija do të dërgohet në një qendër të posaçme mbrojtjeje për fëmijët e mitur.
Pola Rupa, së bashku me bashkëshortin e saj Nikos Maziotis, një anarkist-marksist, përbëjnë dyshen kryesuese të organizatës famëkeqe terroriste “Lufta Revolucionare”, që pasoi organizatën e “17 nëntorit” pas arrestimit të anëtarëve të saj në vitin 2003.
“Lufta Revolucionare” akuzohet se ka kryer disa akte terroriste gjatë 15 viteve të fundit, midis tyre edhe kundër Ambasadës Amerikane në Athinë.
Disa anëtarë të kësaj organizate u arrestuan në vitin 2012 dhe u dërguan për gjykim, por vonesa në gjykim dhe tejkalimi i afateve të paraburgimit u mundësoi lirinë çiftit Maziotis-Rupa, të cilët u zhdukën në mënyrë misterioze në vitin 2014.
Gjatë kësaj kohe, dy terroristët kryen disa akte terrori dhe grabitje të armatosura.
Nikos Maziotos ra në duart e policisë në verën e vitit 2015, pas përballjes me policinë gjatë një grabitjeje në një bankë, ndërsa Rupa vazhdoi aktivitetin e saj, ku sipas policisë vendase, është e dyshuara kryesore në disa grabitje të armatosura.
Ajo akuzohet se ka patur rol protagonist në tentativën për arratisje të Maziotit dhe bashkëpunëtorëve të tij me helikopter nga burgu i Koridhalos.
Aktiviteti i Rupës vazhdoi deri mëngjesin e së enjtes, kur edhe u ndalua nga antiterrori grek. /TiranaObserver