Atentati i dështuar i ideuar nga Gazmend Dervishi, Dritan Nikolla dhe Bruno Shehu, që u arrestuan të martën në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminas, dyshohet se ka lidhje me përplasjen e dy grupeve krimianale me veprimtari të lartë në fushën e narkotikëve.
Në këtë pistë janë përqendruar edhe hetimet e prokurorisë.
Aktivitetin e tyre dyshohet se këto grupe e zhvillonin në Itali, Spanjë dhe Hollandë.
Si rezultat i përplasjeve mes tyre, burime të policisë thanë se kanë ndodhur disa ngjarje kriminale brenda dhe jashtë vendit.
Besohet se përplasjet kanë lidhje me një vrasje të ndodhur në Korrik të vitit 2013, në qytetin e Shijakut dhe një atentat të mbetur në tentativë, të ndodhur në Qershor të vitit 2014.
Po kështu, hetuesit e lidhin aktivitetin kriminal të dy bandave, me një tentativë për vrasje në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, në Korrik të vitit 2015, ku pas shkëmbit të zjarrit mes dy grupeve u plagos një grua 30 – vjeç.
Një tjetër ngjarje është regjistruar më 14 Dhjetor të vitit 2015 në Hollandë, ku dy shtetas shqiptarë, 23 dhe 28 – vjeç mbetën të plagosur.
Pavarësisht hetimeve, policia është treguar e kujdesshme, duke mos dhënë identitetet e anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve, për shkak të hetimeve në vijmësi. /tvklan/