Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e përjavshme për mediat ka hedhur akuza se Behar Bajri, i cili u arrestua në Francë pasi doli në përgjimet e EncroChat, u informua dhe si rrjedhojë ai u largua nga Shqipëria.
Berisha u shpreh se Behar Bajri mori pjesë aktive në zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërsa shtoi se ky i fundit ishte i pranishëm në mbledhjet e ministres Elisa Spiropali.
“Dua të përshëndes autoritet franceze për arrestimin e Behar Bajrit, një nga kriminelët më të rrezikshëm të Shqipërisë, i cili u informua dhe iku sepse ai ishte në Shqipëri, mori pjesë aktive në zgjedhje në mbledhjet që organizoi Spiropali me Bajrët Pëllumb Gjokat dhe banditët të tjerë të Shkodrës për mandatin, ndrikulla e krimit.
Mandati i Shkodrës është mandat mbi krimin dhe ky është një akt tmerrësisht i rëndë të cilin qytetarët e Shkodrës nuk do ta pranojnë kurrë.
Ai që është instaluar në bashki karrigia e tij qëndron mbi vrasjet e fshehura të Bajrave Pëllumb Gjokës dhe bandave të tjera të fshehura nga pushteti vetëm e vetëm që ata të siguronin mandatin e tij”, tha Berisha.