Imazhet që tregojnë agjentët e ICE-së duke arrestuar një fëmijë 5-vjeçar të kopshtit në Minesota kanë bërë xhiron e rrjetit dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e zv.presidentit amerikan, J.D. Vance.
Siç shihet në video, ka një numër oficerësh policie në vendngjarje, ndërsa një grup shoqëron fëmijën dhe e vendos atë në automjetin e tyre.
Në të njëjtën kohë, deklaratat e Zëvendëspresidentit të SHBA-së J.D. Vance, i cili konfirmoi të enjten se autoritetet federale ndaluan një djalë pesëvjeçar pas një operacioni nga policia e imigracionit (ICE) në Minneapolis, po shkaktojnë reagime të shumta.
Vance pretendoi se ICE mori përsipër fëmijën 5-vjeçar sepse babai i tij, të cilin ai e përshkroi si një “emigrant të paligjshëm”, iku për të shmangur arrestimin nga agjentët.
“Unë thashë, ‘O Zot, kjo është e tmerrshme. Si mund të arrestojmë një fëmijë pesëvjeçar?’”, tha Vance, duke shtuar se kishte ndryshuar mendje për veprimin e ndërmarrë nga ICE. “Çfarë duhej të bënin? Të linin një fëmijë pesëvjeçar të vdiste nga të ftohtit?”, pyeti ai.
Fëmija, 5-vjeçari Liam Conejo Ramos, u arrestua së bashku me të atin, Adrian Alexander Conejo Arias, në rrugën ngjitur me shtëpinë e tyre dhe sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, e gjitha ndodhi kur Adrianit iu afruan agjentët në hyrje të shtëpisë së tij, pasi kishte marrë djalin e tij 5-vjeçar nga kopshti.
















