“Kur gazetarja e Euronews e pyeti për trafikun e armëve, Edi Rama iu hakërrye keq, sikur ajo po sajonte e po shpifte. Por sot është kapur një grup që trafikonte jo vetëm armë të lehta, por dhe mitralozë e granata,” ka deklaruar sot nënkryetari i PD, Edi Paloka menjëherë pas njoftimit publik nga Policia e Shtetit për operacionin “Moglica”.
“Rama me siguri nuk di më pak se gazetarja e Euronews, – tha Paloka, – por mundohet t’i fshehë këto trafiqe e trafikantët, dhe madje t’i mbrojë ata. Siç bëri me Balilin, siç bën me Habilajt e shumë banda të tjera. Po krimet janë të rënda shumë e nuk mbulohen dot prej tij.
Të habiturin e të paditurin bëri dhe për avionët e drogës, po ato mbushën qiellin. Është e qartë se Rama s’ka padije për këto punë, se këto punë bëhen me liçensën e tij. Ai thjesht mundohet t’i fshehë.”