Projekti i stadiumit “Arena Kombëtare” është realizuar nga kompania “Archea”, me arkitektin italian Marco Casamonti. Gjatë prezantimit të projektit, kryeministri Rama vlerësoi arkitektin Casamonti, duke theksuar se stadiumi shqiptar do të jetë i treti stadium modern që do mbajë firmën e tij.
Por, nëse kërkon në internet të dhëna rreth arkitektit italian, në artikujt e kronikës së vitit 2008 në mediat italiane, mund të lexosh se Marco Casamonti rezulton ndër shtatë personat e arrestuar për korrupsion, në kuadër të një hetimi mbi urbanizimin e zonës së Kalasë, në Firence.
Në një artikull të gazetës italiane “La Repubblica” shkruhet se hetimet e prokurorit Giuseppe Quattrochi zbuluan implikimin e arkitektit të njohur, në një tender prej 98 mijë eurosh për rikonstruksionin e një ndërtese në komunën Terranova Bracciolini. Sipas organit të akuzës, arkitekti ka ndikuar në tender.
Konkretisht arkitekti u arrestua në 11 dhjetor 2008 dhe rifitoi lirinë në 2 janar 2009. Për rreth një muaj ai qëndroi në “arrest shtëpie”.
Arkitekti Marco Casamonti është themelues i studios “Archea” që operon në nivel ndërkombëtar. Ai jep mësim në universitet dhe është autor dhe drejtues i revistave që lidhen me arkitekturën.
Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë 22.000 vende dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Puna për shembjen e stadiumit aktual ‘Qemal Stafa’ pritet që të nis brenda muajit Prill.
“Ne shpresojmë që stadiumi i ri të jetë një vepër arti. Stadiumi do të jetë një ndërtesë urbane, do të jetojë 7 ditë të javës, të gjithë mundi të shkoni, edhe ata që nuk e ndjekin futbollin” tha në Tiranë arkitekti Casamonti. (La Repubblica)