Ish ministri i Financave dhe një njohës mjaft i mirë i ekonomisë, Arben Malaj në një intervistë për “Monitor” e krahason situatën e krijuar nga masivizimi i kanabasit me atë të piramidave para vitit 1997.
Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?
Impaktet sociale dhe ekonomike të aktiviteteve kriminale janë të rënda për vendet që luftojnë për të konsoliduar funksionimin e shtetit ligjor, si parakusht për të krijuar baza të një zhvillimi që prodhon zhvillim dhe mirëqenie.
Në efektet negative afatshkurtra do të përfshija largimin nga puna të mijëra familjeve, të cilat kanë rënë viktima të idesë se mund të pasurohen shpejt duke kultivuar drogë dhe jo produkte bujqësore dhe blegtorale, për të cilat tregu ka nevojë.
Në impaktet afatshkurtra përfshihen deformimet në tregun e punës, në tregun e pasurive të patundshme, në rritjen abuzive të kostove për të bërë biznes.
Zhvendosja e kërkesës për punë në këto aktivitete rrit vështirësitë për fuqi punëtore dhe deformon kostot reale të bizneseve të tjera.
Një kosto tjetër e rëndë për buxhetin e shtetit është rialokimi i fondeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit, i cili në kushtet e një buxheti të shtrënguar, imponon shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve dhe investimeve publike në arsim, shëndetësi, ambient dhe infrastrukturë.
Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda. Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata.
Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima.
Shumë harrojnë që këto viktima nuk janë diku larg apo jashtë familjeve të tyre. Këto viktima gjithnjë e më shumë rrezikojnë të jenë fëmijët e tyre, rrezikojnë të jenë të afërmit e tyre, rrezikojnë të jenë direkt ose indirekt edhe ata vetë që i tolerojnë apo investojnë në këto aktivitete kriminale.
Efekt kryesor afatgjatë do të jenë kostot e larta të vetë kultivuesve, por edhe të biznesit në tërësi dhe taksapaguesve gjithashtu.
Reduktimi i këtij aktiviteti do të kërkojë fonde të shumta si për policinë, për kujdesin shëndetësor, për të asistuar viktimat në rritje të përdorimit të drogave, për buxhetin e shtetit për të gjetur burimet e nevojshme të këtyre kostove direkte dhe indirekte, por edhe për vetë biznesin për t’u zhvilluar në një ambient konkurrues, ku konkurrenca nuk vjen nga novacioni dhe përkushtimi, por nga investime me burime financiare nga aktivitetet kriminale.
Mund të ketë individë apo biznese që mund të “gëzojnë” fitime të mëdha dhe në periudha të shkurtra, shpresa për periudha të “arta” në vitet e ardhshme do të vrasë dëshirën për punë, do të vrasë investimin në aktivitete të ligjshme.
Fonde të mëdha dhe buxhetore do të kërkohen për rendin të cilat do të gjenden duke shkurtuar investimet publike në prioritetet jetësore siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, mbështetja e bujqësisë dhe turizmi.
Një impakt i konsiderueshëm negativ është perceptimi negativ për vendin, i cili tremb investitorët kredibël në aktivitete prodhuese dhe shërbimi sa më konkurrues dhe josh investitorët e këqij, të cilët synojnë përfitime vetëm nga aktivitete informale dhe kriminale. Kjo rrit presionet korruptive dhe kriminale ndaj qeverisjes vendore dhe qendrore, duke e vështirësuar shumë ndërtimin e shtetit ligjor.
Pasojat negative mbi braktisjen e aktiviteteve tradicionale të prodhimeve dhe shërbimeve në bujqësi e blegtori, dëmtimi i produktivitet, dëmtimi i cilësisë së tokës vlerësohen nga specialistë të bujqësisë si një kosto e rëndë dhe e gjatë për fermerët.
Kostot sociale janë një barrë e rëndë dhe financiare individuale, familjare dhe për taksapaguesit në tërësi.
Jo vetëm rritja e numrit të përdoruesve, por sidomos rënia e dëshirës për të mësuar dhe për të punuar, mund të krijojnë viktima të përhershme të krimit dhe varfërisë.
Dalja nga “trashëgimi” i të njëjtave risqe dhe kosto, e bën më të rëndë prerjen e efektit trashëgues të varfërisë dhe kriminalitetit.
Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?
Nuk di asnjë vend që në rezultante, të ketë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme me të ardhurat nga aktivitetet kriminale treguesit makro, ku përfshihen edhe kurset këmbimit.
Të vlerësosh pozitive të ardhurat nga ky aktivitet në mbajtjen nën kontroll të kursit të këmbimit do të thotë, ose të mos njohësh ose t’i injorosh përvojat e përgjakshme që mbijetojnë edhe sot në vendet që e toleruan drogën dhe për pasojë, nuk e mposhtën dot krimin e organizuar dhe mbetën vende me burime të pasura, por me konflikte sociale të rënda, vazhdojnë të jenë vende me normat më të larta të krimit, vende me kriza të thella sociale dhe me paqëndrueshmëri politike të përhershme.
Individë të caktuar mund të bëhen të pasur nga aktivitete të tilla kriminale, por vetëm përkohësisht. Biznese të caktuara direkt apo indirekt mund të pasurohen nga këto lloj aktivitetesh kriminale, por vetëm përkohësisht.
Kurrë asnjë vend dhe asnjë komb nuk mund të zhvillohet, pasurohet dhe prosperojë nga tolerimi i aktiviteteve kriminale në shkallën që ato të dominojnë ekonominë, zhvillimet sociale dhe të ndikojnë zhvillimet politike.
Lufta kundër këtyre aktiviteteve të tilla kriminale nuk mund të fitohet me keqpërdorimin e saj në përballjet e ashpra politike midis partive parlamentare.
Kjo luftë kundër aktiviteteve kriminale duhet vlerësuar si një prioritet kombëtar dhe si e tillë kërkon apo imponon përgjegjësi dhe angazhime kombëtare, duke filluar nga strukturat e specializuara në luftën kundër kanabizimit të vendit deri tek alternativat konkurruese për mundësitë e mbështetjes me politika dhe fond zhvillimi, duke filluar nga zonat më të varfra në vend.
Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?
Reduktimi i risqeve në rritje që ky aktivitet kriminal të konsiderohet diçka e zakonshme dhe të tolerohet.
Sa do i varfër të jetë një individ apo një vend, ai nuk mund të pasurohet nga aktivitetet kriminale, ky është pasurim varfërues, është një lumturi e përkohshme që ka një fund me shumë viktima.
Por strategjia e reduktimit të kultivimit të kanabisit nëpërmjet luftës së policisë duhet bashkëshoqëruar me skema financimi lehtësuese dhe investime publike në rritje në zonat rurale të vendit.
Duhet të reduktojmë dhe të ndalim këtë fenomen të përhapjes masive të kultivimit të kanabisit, duke ofruar mundësi alternative për punësim dhe të ardhura për familjet.
Më konkretisht, janë ndoshta mijëra kultivues individualë të drogës në burgjet tona.
Penalizimi me të drejtë i kultivuesve të drogave ka krijuar kosto të rënda sociale për familjet e tyre. Është arrestuar një kultivues, por është bërë më i varfër dhe i ekspozuar ndaj krimeve dhe familja e tij, e cila potencialisht në kushte mbijetese është lehtësisht e manipulueshme, të bëhet viktimë e varfërisë në rritje dhe për pasojë, edhe e aktiviteteve kriminale.
Disa kolegë janë angazhuar për të bërë një studim, se sa është kostoja e çdo të burgosuri si kultivues droge dhe të studiojë eksperienca edhe ndërkombëtare për alternativa stimuluese për aktivitete ekonomike që ulin fokusimin te kultivimi i drogës.
Kjo kërkon bashkëpunim edhe për rritje të fondeve nga donatorë të ndryshëm, pasi fitimet e mëdha nga këto aktivitete kushtëzohen nga kërkesa në rritje e përdoruesve në vendet e zhvilluara. Si çdo mall tjetër, edhe për drogat, rritja e çmimeve dhe fitimeve ndikon ndjeshëm kultivimin dhe shitjen e drogës, pra presioni për risk të madh për fitime të mëdha vepron mbi çdo fermer, aq më shumë mbi individë apo familje që mbijetojnë në kushte varfërie.
A mundet fonde publike për kultivuesit e kanabisit pas një amnistie, sepse ne nuk e mundëm dot kultivimin e kanabisit nga burgosja e kultivuesve individualë, të shndërrohen në fonde zhvillimi, ku të bashkohen me fondet e qeverisë dhe donatorëve në një fond të përbashkët dhe të mirëmenaxhuar për të mbështetur të liruarit nga burgu për t’u angazhuar në aktivitete të tjera ligjore dhe produktive.
E di që shumë do të jenë skeptikë, sepse normat e fitimit të një aktiviteti prodhues nuk do të përafrohen me ato të aktiviteteve kriminale, por mbaj parasysh korrelacionin e “përgjakur” dhe plot viktima që ka midis një norme fitimi treshifrore me shkallën e lartë të kriminalitetit dhe viktimat që këto aktivitete prodhojnë për t’i arritur dhe për t’i mbajtur këto fitime.
Thelbi i studimit është në konceptin e projektit të UNDP, gjatë krizës së rëndë pas vitit 1998, kur mblidheshin armët në duart të popullatës. Mbledhja e tyre stimulohej edhe me dhënie fonde grant për prioritete të komunitetit si furnizimi me ujë, rrugët rurale, investime në shkolla dhe qendra shëndetësore. Me këtë koncept incentivues të aplikohet një skemë stimuluese këtë radhë me grante dhe kredi të buta për biznese të vogla individuale apo familjare të të burgosurve për kultivim droge.
Një nga leksionet bazë të makroekonomisë është se individët reagojnë më mirë ndaj incentivave se sa ndaj penaliteteve.
Pa një strategji kombëtare të integruar në luftën kundër kanabizimit të vendit tonë, ku janë pjesë thelbësore edhe politikat lehtësuese për projekte dhe fonde konkrete që lehtësojnë kalimin nga aktivitetet kriminale në atë ligjore, ne rrezikohemi ta humbasim qoftë edhe për disa vite këtë luftë për jetë a vdekje për të ardhmen e fëmijëve, familjeve dhe vendit tonë.
Zhgënjimet do të jenë të mëdha, largimet do të jenë të konsiderueshme duke përtharë rrënjët e impaktit pozitiv të dividentit demografik që vendi ynë e ka në dispozicion edhe për një kohë jo shumë të gjatë.
Kjo situatë largon dhe shkurajon investimet private, vendase dhe të huaja, të cilat tkurren duke reduktuar burimet potenciale për rritje ekonomike më të larta dhe më produktive.
Kjo situatë dëmton ekonominë dhe buxhetin, sepse lufta kundër kanabizimit do të kërkojë vende të shumta direkte dhe indirekte nga burimet tona buxhetore, të cilat edhe tani kanë mungesë të konsiderueshme për të mbështetur më mirë faktorët e zhvillimit cilësor, siç janë arsimi dhe shëndetësia, kohezioni social.
Përkeqësimi i cilësisë së këtyre prioriteteve si arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe kohezioni social, ushqen zhgënjimin e popullatës dhe mosbesimin ndaj së ardhmes tek individët dhe bizneset të cilët ulin konsumin dhe investimin e tyre, duke reduktuar burimet e të ardhurave buxhetore dhe duke e përkeqësuar ciklin e efekteve negative të tolerimit të aktiviteteve kriminale.