Ai është ndër aktorët më në zë të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Bëhet fjalë për aktorin Arben Derhemi, që për të gjithë shqiptarët u bë i dashur dhe i njohur në serialin “Njerëz dhe Fate”, në rolin e Florit.
Derhemin do të keni mundësi ta shihni këtë fundjavë me monodramën “Johan Padam dhe Amerikat”, me regji të Milto Kutalit, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Megjithatë ai ka kohë që i ka munguar skenës së Teatrit Kombëtar dhe në një intervistë për Panorama thotë se tashmë ai teatër është pronë e drejtorit, Hervin Çuli.
“Teatri Kombëtar është pronë private tashmë. Unë kam folur mjaft për këtë. I kam bërë me dije instancat që merren me TK, që është ministria, që kam përshtypjen se është në një nivel me drejtimin e TK dhe nga sa kuptoj, kanë ndër mend ta rrënojnë këtë institucion. Ndërsa mosafrimi im ka të bëjë me preferencat e drejtorit”,ka thënë aktori.
Derhemi shprehet gjithashtu kundër kontratave për aktorët. “TK ka paguar ndaj njerëzve të larguar nga puna 150 milionë lekë, sepse kontratat që bën drejtori janë fiktive dhe gjykatat shqiptare u japin të drejtë njerëzve, pasi TK ka një kontratë kolektive pune. Sajesa e kontratave është një turp i madh për TK dhe Ministrinë e Kulturës në radhë të parë”, pohon ai.