Edhe pse vendi ynë ka 25 vite në pluralizëm, ende të huaj e përshkruajnë si një vend që ka mundësi për hapje me botën. Agjensia e lajmeve Associated Press ka publikuar një artikull për kualifikimin historik të Shqipërisë në “Francë 2016”, duke e quajtur një shans për hapjen me botën.
“Për një vend që kaloi gati gjysmën e shekullinë në izolim , është e vështirë të kapërcejë emocionet që lidhen me kualifikimin në të parin turne të madh”, shkruan AP, që e konsideron këtë kualifikim një shans të rallë që Shqipëria të bashkëveprojë me botën jashtë.
“Shqiponjat rezervuan vendin e tyre në Francë pas fitores 3 -0 në Armeni, ndërsa vendi me rreth 3.2 milion banorë u përfshi nga festimet. Kur futbollistët u kthyen në Tiranë, kryeqyteti ishte veshur me ngjyrat kombëtare, kuq e zi”, vijon më tej artikulli.
Më tej në shkrim përmenden edhe disa prej momenteve që spikatën në rrugëtimin e vendit tonë drejt kampionatit europian dhe sigurisht që këtu zë vend incidenti në stadiumin e Beogratit.
Për trajnerin De Biazi, AP shkruan se ka ndërtuar një ekip të disiplinuar me lojtarë që luajnë me klube në kampionatet europiane. “Kjo kombëtare me 6 lojtarë që secili ka shënuar gol gjatë këtyre eliminatoreve, mund të jetë një ekip i paparashikueshëm”, shkruan më tej AP.