Një hapësirë ku kreativiteti dhe biznesi takohen, ky është vizioni pas ‘Muza Fashion Fair’ (MFF), një nisëm e re e krijuar nga Andriola Kambo. Si autore dhe producente e platformës ‘Muza Competition’, Kambo ka sjellë për katër vite me radhë një trampolinë për talentet e reja, duke lidhur trashëgiminë kulturore shqiptare me industrinë bashkëkohore të modës. Përvoja e saj me mbi 9,000 dizajnerë dhe eksperienca ndërkombëtare në projekte Expo në Bruksel i kanë dhënë bindjen se ka ardhur momenti për të krijuar një panair që i shërben industrisë së modës në tërësi. Sipas Kambo, MFF nuk është thjesht një event mode. Është një platformë që bashkon të gjithë hallkat e industrisë: stilistë, blerës, prodhues tekstilesh, gazetarë, media të modës, shkolla dhe studentë, fotografë, videografë, DJ, producentë, skenografë etj. Përveç prezantimit të koleksioneve, panairi do të ofrojë workshop-e për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rrjetëzim ekonomik, duke nxitur një industri më të qëndrueshme dhe vizionare.
Andriola Kambo thekson se MFF synon të kthehet në një pikë referimi për kalendarin ndërkombëtar të eventeve të modës, duke ofruar mundësi konkrete për ekspozim, partneritete dhe lidhje me tregjet globale.
Sipas Kambo, e ardhmja e modës në Shqipëri është premtuese, me shumë talente të reja dhe startup-e kreative, por infrastruktura dhe mbështetja janë çelësi për zhvillim profesional dhe ndërkombëtar. Platforma si MFF ofron pikërisht këtë mundësi, duke shndërruar Shqipërinë në një qendër të rëndësishme të modës në rajon.
Çfarë e frymëzoi krijimin e ‘Muza Fashion Fair’? Si lindi koncepti dhe ideja? Çfarë e dallon këtë panair nga eventet e tjera të modës në Shqipëri? MFF pritet të jetë vendi ku do të bashkohen veç stilistë shqiptarë apo edhe nga rajoni?
‘Muza Fashion Fair’ është një nisëm e re, shumë personale për mua, që më ka bërë pjesë për herë të parë në botën e biznesit. Si autore dhe producente e platformës ‘Muza Competition’, kam parë sesi një iniciativë e vogël rajonale mund të rritet dhe të bashkojë mbi 9,000 dizajnerë mode. Ky impakt më dha bindjen se kishte ardhur momenti për të krijuar një hapësirë edhe më të madhe, që t’i shërbente industrisë në tërësi. Kështu lindi ideja e ‘Muza Fashion Fair”.
Falë një eksperience 10- vjeçare në fushën e projekteve, kam fituar bindjen se çdo projekt që ndërmarr duhet të jetë i qëndrueshëm dhe me impakt real. Personalisht, më ka frymëzuar gjithmonë të ndjek modele si Fern Mallis, një ndër figurat më të njohura në industrinë e modës amerikane, krijuesja e Javës së Modës në New York. Ajo ka ditur të ndërtojë platforma të qëndrueshme dhe jo thjesht evente të përkohshme, dhe për mua ka qenë gjithmonë modeli që dua të ndjek në rrugëtimin tim.
Cili është mesazhi kryesor që ‘Muza Fashion Fair’ dëshiron t’i përcjellë publikut dhe industrisë së modës, e cila sot përballet me sfida veçanërisht në lidhje me qëndrueshmërinë, etikën etj.?
Mesazhi kryesor i ‘Muza Fashion Fair’ është se moda nuk është vetëm estetikë apo trend, por një industri që ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, kulturë dhe ekonomi. Një nga sfidat më të mëdha sot është mungesa e kreativitetit ku shumë brand-e të njohura po përballen me përsëritje të ideve dhe mungesë risish. Prandaj, MFF synon të sjell brand-et më të njohura ndërkombëtare, rajonale dhe vendase që sjellin frymë të re, ide origjinale, vizion ndryshe dhe rrjetëzimin ekonomik.
Për ne, kreativiteti nuk shkon i ndarë nga qëndrueshmëria dhe etika: promovojmë praktikat e gjelbra, riciklimin, përdorimin e materialeve të qëndrueshme dhe respektimin e vlerave etike në proceset e prodhimit. ‘Muza Fashion Fair’ është platforma ku takohen bizneset, dizajnerët dhe profesionistët jo thjesht për të shitur, por për të ndërtuar një industri më të fortë e më vizionare.
Si është pritur ky edicion i parë nga dizajnerët shqiptarë dhe ndërkombëtarë? Si janë ritmet e organizimit deri më tani? Cilat janë disa nga emrat “big” që kanë konfirmuar pjesëmarrjen?
Prej një viti tashmë kemi punuar intensivisht për konceptin e ‘Muza Fashion Fair’. Ditën e djeshme kemi publikuar faqen zyrtare të panairit www.muzafashionfair.com ku të gjithë të interesuarit mund të gjejnë informacionet e nevojshme dhe të shprehin interesin për pjesëmarrjen e tyre online. Dua të theksoj se MFF nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi dhe shitjeje për dizajnerët, por eventi kryesor B2B dhe B2C për industrinë e modës në Shqipëri, rajon e më gjerë.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të prezantojnë brand-in e tyre para një audience të përzgjedhur, të shfaqin koleksionet në pasarelën kryesore, të takojnë blerës potencialë përmes takimeve të organizuara paraprakisht. Gjithashtu, po krijojmë një hapësirë të dedikuar për workshop-e që fokusohen në ngritjen e kapaciteteve të stilistëve për të pasur sukses në sipërmarrjet e tyre, një fushë që kërkon shumë krijimtari dhe përvojë.
Ky edicion i parë është pritur me shumë entuziazëm, nga të gjithë aktorët//bizneset në industrinë e modës në arenën ndërkombëtare dhe interesi që kemi parë deri tani ka tejkaluar pritshmëritë tona, duke treguar se MFF po plotëson një boshllëk real në treg.
Organizimi po ecën me ritme dinamike, dhe çdo ditë konfirmohen pjesëmarrje të reja nga brende, dizajnerë dhe profesionistë që duan të jenë pjesë e këtij eventi, duke e bërë MFF një ngjarje ku takohen talentet e reja me figurat e konsoliduara të industrisë. Përmes këtij edicioni, synojmë që Muza Fashion Fair të kthehet në një pikë referimi në kalendarin ndërkombëtare të eventeve të modës.
Ju jeni prej vitesh organizatore dhe drejtuese e ‘Muza Competition’. Si e shikoni të ardhmen e modës në Shqipëri? A ka sipërmarrje të reja? A ka talente?
E ardhmja e modës në Shqipëri është premtuese. Ka shumë talente të reja që kanë aftësi kreative dhe vizion modern, por ajo që ka munguar deri tani është infrastruktura dhe mbështetja që i ndihmon ata të zhvillohen profesionalisht dhe të lidhen me tregun global. Në vitet e fundit, kemi parë gjithnjë e më shumë sipërmarrje të reja në fushën e modës, startup-e kreative, brand-e që fokusohen te qëndrueshmëria dhe prodhimi cilësor.
Shqipëria ka potencial për tu zhvilluar, por ky potencial duhet kanalizuar përmes platformave si ‘Muza Fashion Fair’ që ofrojnë mundësi konkrete për të ekspozuar punën, për të krijuar partneritete dhe për të hyrë në tregjet ndërkombëtare. Nëse kjo rrugë ndiqet me këmbëngulje, shumë shpejt mund ta shohim Tiranën si një qendër të rëndësishme të modës në Ballkanin Perëndimor, madje edhe më gjerë.