TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dyshohet se ka fshehur një raport të ICITAP-it mbi projektligjin për kamerat e sigurisë. Mësohet se ekspertët amerikanë janë shprehur kundër këtij ligji, por ministri nuk i ka dërguar këto rekomandime në Kuvend. Lajmi është bërë publik nga portali HashtagAL, i cili ka publikuar edhe raportin e ICITAP. Sipas këtyre dokumenteve, Tahiri ka pasur një letërkëmbim me amerikanët në periudhën Prill-Qershor 2015, ndërsa në Tetor 2015 dorëzoi projektligjin në Kuvend.
“Raporti i ICITAP-it, zbulon se amerikanët i kishin kërkuar Tahirit që t’u jepte atyre një relacion të detajuar mbi arsyet se përse ai donte të instalonte kamera sigurie anembanë Shqipërisë dhe ku bazohej një vendimarrje e tillë dhe si ishte argumentuar ajo”, shkruan Hashtag.
“Tahiri nuk i paraqiti kurrë amerikanëve një relacion shpjegues, ai thjesht u dërgoi projektligjin me nenet përkatëse.
Ekspertët amerikanë i kishin bërë të ditur në raport ministrit se nisma e tij ishte antikushtetuese dhe kufizonte të drejtat e qytetarëve, ekspertët shprehen në mënyrë eksplicite në raport se policia mund të nxisë dhe të inkurajojë bizneset të montojnë këto kamera por kurrsesi nuk mund t’i detyrojë e për më tepër t’i gjobitë nëse nuk i instalojnë.
Në raport, amerikanët i kujtojnë ministrit se nuk ka ndonjë nismë të ngjashme as në SHBA dhe as në ndonjë shtet tjetër evropian”, vijon më tej Hashtag.
Gjatë mbledhjeve të zhvilluara në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë, ministri dhe ndihmësit e tij kanë shmangur raportin delikat të amerikanëve.
Në relacionin që i ka dërguar Kuvendit, Tahiri përmend se ishte konsultuar dhe me ICITAP-in dhe PAMECA-n, por vetëm kaq, asnjë e dhënë mbi rekomandimet e këtyre dy institucioneve nuk i’u njoftua komisioneve përkatëse.