Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Oktavian Sherban tha nga Korça se procesi i integrimit në BE bazohet në meritat personale të vendit kandidat.
“Zgjedhjet europarlamentare janë një proces natyral dhe kjo nuk duhet ngatërruar me ecurinë e vendeve kandidate, këto janë mekanizma që funksionojnë në mënyrë paralele. Kjo varet shumë nga përgatitja e vendit kandidat, sa shpejt do i kalojë këto etapa që i paraprijnë në procesin e integrimit. Këtu po e sjell edhe njëherë tjetër në vëmendjen tuaj që procesi i integrimit europian bazohet në meritat personale të secilit vend kandidat e ne qofte se do ketë ndonjë vonesë për sa i përket çeljes së këtyre kapitujve, nuk do jenë zgjedhjet europarlamentare ato që do ndodhin por nëse do të ketë vonesa këto do i referojë vetëm mangësive të vendit kandidat.
Kjo është një gjë shumë e ditur dhe këtë duhet ta pranoj para jush se autoritetet shqiptare janë shumë të përgatitura në shumë drejtime e kapituj. Nuk është një konkurs është një proces i cili do të ketë ecurinë normale të tij”, tha ai.
Përsa i përket reformës në drejtësi, Sherban ka thënë se duhet t’i drejtohet qytetarit.
“Ashtu siç vet e dini një drejtësi funksionale është element fondamental për procesin e integrimit, kjo ecën paralelisht me respektim të të drejtave parlamentare e shoqërore. Reforma në drejtësi duhet të kuptohet nga unë, që vij nga një shtet që ka prodhuar një reformë të thellë në drejtësi. Reforma në drejtësi duhet t’i drejtohet qytetarit. Për mua nuk ka rëndësi numri i prokurorëve ose i gjykatësve që Republika e Shqipërisë ka në këto momente sepse ky është një problem i brendshëm por ajo që mund të them është se reforma në drejtësi duhet t’i drejtohet qytetarit dhe në të njëjtën kohë qytetari me shume besim t’i drejtohet sistemit të drejtësisë. Përtej fazave shumë të komplikuara, të gjitha reformat në drejtësi kanë të bëjnë me kontratën sociale. Qytetari duhet të ketë besim në drejtësi e administratë, e nga ana tjetër, vet administrata duhet ti tregoje qytetarëve se punon për ta. Në themel flasim për një kontratë sociale. Këtu duhet të dimë se në qoftë se një e drejtë i mohohet një qytetari, ekziston drejtësia që i vjen në ndihmë”, tha ambasadori./Opinion.al