Ambasadori Amerikan në Shqipëri Donald Lu ka folur në Asmblenë e Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me arrestimin e bujshëm të një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Tiranë, Emiliano Shullazin.
Ambasadori Lu fjalën e tij e ka nisur me përshëndetjen ndaj këtij aksioni që vuri në pranga një prej emrave më të përfolur të mafies shqiptare.
Ai tha se në Shqipëri kemi parë të arrestohen prokurorë, ministra, zyrtarë etj, por këto ditë është arrestuar kreu i krimit të organizuar në Shqipëri.
Lu në nëntor të vitit 2015 e etiketoi Shullazin si person që i trembet reformës në drejtësi bashkë me Arben Frrokun.
Më tej ambasadori foli për reformën në sistemin e drejtësisë, ku tha “reforma në gjyqësor të jetë një reformë serioze”.
“Jemi shumë të përkushtuar për ta përfunduar këtë reformë. Duhet të mbani përgjegjësi lidhur me këtë”, tha ai.
Lu gjithashtu u bëri thirrje deputetëve që të dëgjojnë zërin e popullit dhe të punojnë për të.
“Thirrje deputetëve të parlamentit: Detyra kryesore të punojnë për popullin. Për popullin reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe politikanët duhet të dëgjojnë zërin e popullit”, përfundoi Lu