Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha të dielën se avioni që u rrëzua javën e kaluar dhe shkaktoi vdekjen e 38 personave, ishte dëmtuar nga të shtënat aksidentale nga Rusia, duke shtuar se disa zyrtarë në Moskë kishin gënjyer mbi arsyet e rrëzimit të tij.
Presidenti rus Vladimir Putin të shtunën i kërkoi falje zotit Aliyev për “incidentin tragjik” të së mërkurës në hapësirën ajrore ruse, gjatë të cilit avioni i kompanisë ajrore të Azerbajxhanit u godit nga mbrojtja ajrore ruse, e cila ishte aktivizuar për t’u mbrojtur nga dronët ukrainas.
Një deklaratë e Kremlinit nuk thoshte se Rusia e kishte rrëzuar avionin, por se thjeshtë kishte hapur një hetim penal të kësaj çështje penale.
“Aeroplani ynë u rrëzua aksidentalisht”, tha zoti Aliyev në televizionin shtetëror të dielën, duke shtuar se pajisjet elektronike të avionit ishin bllokuar dhe më pas ai ishte qëlluar ndërsa po i afrohej qytetit të Groznit.
Pilotët, të cilët vdiqën në incidentin e rrëzimit të avionit, janë lavdëruar në Azerbajxhan për veprimet e tyre që shpëtuan jetën 29 personave.
“Fatkeqësisht, në tre ditët e para ne dëgjuam vetëm versione absurde nga Rusia”, tha presidenti azerbajxhanas Aliyev, duke përmendur deklaratat e Rusisë se përplasja ishte rezultat i goditjes së avionit nga një tufë e zogjve.
“Ne ishim dëshmitarë të përpjekjeve të qarta për të fshehur arsyet e rrëzimit të avionit”, tha udhëheqësi azerbajxhanas, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe është arsimuar në një nga universitetet më të mira të Moskës.
Zoti Aliyev tha se donte që Rusia të pranonte se ishte fajtore për rrëzimin e aeroplanit dhe të ndëshkonte përgjegjësit e incidentit.
Putin dhe Aliyev zhvilluan një tjetër telefonatë të dielën, tha Kremlini. Zyrtarët në Moskë nuk dhanë hollësi të tjera, por të shtunën thanë se specialistë civilë dhe ushtarakë po merren në pyetje për atë që kishte ndodhur.
Aeroplani u rrëzua të mërkurën pranë qytetit Aktau në Kazakistan pasi u devijua nga Rusia jugore, ku dronët ukrainas po sulmonin disa qytete në atë kohë, sipas Kremlinit.
Katër burime, që kanë njohuri mbi gjetjet paraprake të hetimit të Azerbajxhanit për incidentin, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters të enjten se mbrojtja ajrore ruse e kishte rrëzuar gabimisht avionin, duke shkaktuar vrasjen e 38 njerëzve dhe plagosjen e 29 të tjerëve./voa