Prej katit të gjashtë të ndërtesës në rrugën “UÇK” mund të shihen majat e maleve të Sharrit të mbuluara me dëborë.
41-vjeçari njihet në Serbi si një nga shqiptarët kosovarë të burgosur gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe si përkrahës radikal i një Kosove të pavarur në periudhën e pasluftës.
Për shumë njerëz në Kosovë, ai është simbol i protestës kundër qeverisë së tanishme të Isa Mustafës, presidentit të posazgjedhur Hashim Thaçi por edhe kundër Serbisë, shtet i cili shihet si kërcënim i vazhdueshëm ndaj pavarësisë së Kosovës.
Përderisa shumë nga të rinjtë i përkrahin idetë e tij radikale, brezat më të vjetër i shohin aktivitetet e tyre në rrugë me një sy shqetësimi.
Kurti thotë se kishte lexuar shumë dhe kishte luajtur shah në burgjet serbe. Pyetur se a do të luante shah me Kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, ai thotë jo. “As në kohë të lirë”.
Ashtu siç kishte probleme me qeverinë në Beograd kur Kosova ishte pjesë e Serbisë, sot ai e kundërshon qeverinë në Prishtinë sepse thotë që ajo nuk punon në interesat e shqiptarëve të Republikës së Kosovës.
Muajve të fundit, vendimet e opozitës kanë penguar punimet e Kuvendit të Kosovës duke hedhur gaz lotsjellës brenda tij dhe duke thirrur protesta në rrugë – protestat më të mëdha nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ai e sheh Kosovën si një komunitet më rrënjë në tri principe themelore: universalitetin, solidaritetin dhe bashkëpunimin, për të cilat thotë se janë plotësisht të kundërta me bazën e shoqërisë së tanishme dhe parimit të saj të tolerancës.
“Kur dikush më thotë të jem tolerant, është sikur të më thotë t’i fsheh mendimet e mia ndaj dikujt, gjë e cila është e padrejtë,” thotë Kurti.
Në vend të parimeve të proklamuara të paqes, stabilitetit dhe sigurisë, sistemi duhet të bazohet në drejtësi, zhvillim dhe demokraci.
E nisim intervistën me lajmërimin e protestave të reja të thirrura në fund të marsit.
Ju keni planifikuar protesta të mëtutjeshme këtë muaj. Mund të flisni më shumë për to?
Protesta jonë e ardhshme do të mbahet pas diku dy javësh por nuk kemi marrë vendimet përfundimtare për detajet. Ajo sigurisht do të zhvillohet në qendër të Prishtinës.
Do të qëndroni në qendër derisa përfillen kërkesat tuaja?
Nuk kemi vendosur. Nuk e di se a do zgjasë [protesta] vetëm një ditë. E dimë se ku do të mbahet por jo sa do të zgjasë.
Cilat janë kërkesat tuaja?
Qeveria jonë do që ta ringjallë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjë të cilën e kundërshtojmë. Qëllimet e tyre janë ta krijojnë një bashkësi administrative territoriale autonome, të ngjashme me Republika Srpskën në Bosnje, e cila do të rezultojë në një lloj “bosnjizimi” të Kosovës.
Sigurisht e gjithë situata lidhur me Republika Srpskën është pranuar në Marrveshjen e Dejtonit të vitit 1995?
Atë që Serbia nuk e arriti shpejt gjatë luftës dëshiron ta arrijë ngadalë në paqe. (Kryeministri i Serbisë Aleksandar) Vuçiqi dhe (Ministri i Jashtëm Ivica) Daçiqi janë trashëgimtar të Millosheviqit dhe (Liderit të Partisë Radikale Serbe Vojislav) Sheshelit dhe nuk shoh dallime në qëllimet e tyre përveç metodës dhe strategjisë që kanë ndryshuar për arsye të rrethanave të ndryshuara…
Po ndodh një imitim i dyfishtë. Në njërën anë, Vuçiqi e imiton Millosheviqin, taktikat dhe qëllimet e tij, kurse në anën tjetër Vladimir Putinin… Ky imitim i dyfishtë nuk do të çojë drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan.
Serbia ka projekt afatgjatë me serbët e Kosovës?
Është një projekt i vjetër. Kosova dhe Serbia janë vende jonormale, asnjëra nga to s’është normale… Qasja duhet të ndryshojë – kemi nëvojë për Serbi dhe Kosovë normale dhe marrëdhënie normale si rrjedhojë e normalizimit të vetë shteteve. Për mua, vetë shtetet janë më të rëndësishme sesa marrëdhëniet mes tyre.
Brukseli e sheh kështu: ata na shohin ne si shtete to vogla që nuk janë pjesë e BE-së dhe kujdesen më shumë për marrëdhëniet mes sheteteve sesa për gjendjen brenda shtëpive tona. Mendoj se në njërën anë është është çështje gjeopolitike, por, së bashku me papunësinë dhe varfërinë sociale në anën tjetër, ajo i shndërron shtet demokratike në autokraci. I tërë regjioni drejtohet nga regjime autokratike. Është ideja e një figure atërore në krye, jo diktator me plot kuptimin e fjalës, por që jep fjalën e fundit për çdo gjë. Fatkeqsisht, Evropa e shekullit XXI mendon se diktaturat janë shuar, por njëkohësisht kemi autokraci që tentojnë kah regjimet totalitare nëse nuk përmbysen.
Ka trende totalitare në gjithë Ballkanin?
Ashtu është. Në Bosnjë ke një protektorat ndërkombëtar dhe mendoj që projektet e këtilla të menaxhuara nga ana politike, kombëtare dhe socioekonomike janë në realitet kundër qytetarëve dhe jodemokratike. Nëse stabiliteti dhe siguria janë më të rëndësishme se demokracia, zhvillimi dhe drejtësia, ajo çon në autokraci. I gjithë regjioni po shkon drejt autokracisë. Ky është një projekt i vjetër në Ballkan dhe një qasje e gabuar nga Brukseli.
Si mund ta ndryshosh këtë?
Ne po luftojmë brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Nuk është e mjaftueshme të luftosh vetëm në rrugë ose vetëm në parlament.
Çfarë keni ndryshuar brenda institucioneve?
Nuk kemi mundur të ndryshojmë shumë për arsye se kemi qenë gjithmonë në opozitë, por kemi bërë shumë për emancipimin dhe vetëdijësimin e njerëzve. Ne kryengritësit jemi disi të mallkuar për arsye se kurrë nuk mund t’i dokumentojmë të këqijat që i kemi parandaluar përmes aktiviteteve tona. Falë opozitës tonë, gjërat e këqija po bëhen më të vogla në të gjithë vendin. Ne nuk i kemi ndalur apo eliminuar ato, por me ndihmën e rezistencës sonë ato po bëhen më të vogla dhe po ngadalësohen. Nuk është e lehtë, por herët a vonë, ne do t’ia dalim.
Ju keni thënë se shqiptarët nuk kanë asnjë problem me serbët por me Serbinë. Çfarë ka ndryshuar në marrëdhënie gjatë periudhës paraprake?
Nuk ka pasur protesta nga serbët e Kosovës në vende ku serbët kërkonin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne organizojmë shumë protesta, por ata nuk organizuan ndonjë protestë me kërkesa të atilla. Kjo kërkesë erdhi nga Beogradi, por nuk mendoj se është për serbët si qytetarë por për Serbinë si shtet. Vuçiqi nuk e çan kokën për serbët, ai mendon vetëm për pushtetin e tij.
Njerëzit në Serbi thonë se ai e ka njohur Kosovën dhe ajo është arsyeja pse është bërë President, për ta njohur Kosovën…
A është ndryshe situata për komunitetin serb në Kosovë krahasuar me shqiptarët gjatë kohës së Millosheviqit?
Dallimet janë të mëdha. Nuk ka një Millosheviq në anën e shqiptarëve që do t’i mbyll serbët në burgje dhe t’i torturojë. Ne nuk kemi ushtri e polici, nuk ka abuzime. Nuk besoj se serbët janë të shtypur këtu. Kemi shumë probleme të përbashkëta sikundër janë papunësia, arsimimi i dobët dhe përkujdesja shëndetësore, por nuk ka analogji.
Në anën tjetër, ne duam që Kosova të jetë plotësisht e pavarur, gjë e cila sipas neve do të thotë e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë. Por nuk marrim ndihmë prej anash në avokimin e kësaj ideje. Neni 1.3 i kushtetutës sonë nuk na lejon t’i bashkohemi ndonjë shteti tjetër. Ne duam ta kemi mundësinë e bashkimit me Shqipërinë në një mënyrë paqësore dhe demokratike, por ajo nuk është e mundshme aktualisht për shkak të Kushtetutës sonë, e cila pak a shumë është shkruar nga fuqitë ndërkombëtare.
Dallimi më i madh është që Serbia ndan 500 milionë euro për strukturat e tyre paramilitare që t’u thonë se Kosova është Serbi dhe është zemra e saj. Unë nuk marr as edhe një euro nga Tirana që ta përkrah bashkimin. Në të vërtetë, unë jam ai i cili herë pas herë mundohet t’i bind ata se gjërat në Kosovë nuk janë edhe aq mirë siç u duken.
Duhet të pranoni se ndryshimi i kufijve nuk është çështje parash të investuara për një fushatë…
Serbët e Kosovës nuk mund të kenë opinion për atë punë. Nuk kemi dëgjuar opinionin e serbëve këtu. Po të kishim dëgjuar viteve të fundit që serbët e këtushëm kërkojnë Asociacionin [e Komunave me Shumicë Serbe], do të isha gati për t’i dëgjuar, por përderisa e dëgjoj vetëm nga Vuçiqi e Daçiqi, është e natyrshme të jem kundër… Për atë arsye Asociacioni është projekt i Beogradit e jo i serbëve.
Pra, nëse serbët e Kosovës do të organizonin protesta që të kërkojnë Asociacionin, ju do të kishit thënë eja të flasim për atë punë?
Kjo duhet të kishte ndodhur në të kaluarën nëse ata do të kishin dashur që t’ua jap vëmendjen. Nuk ka kërkesë autentike. Pse nuk ndodhi kjo? Pse nuk ishte një gjë e tillë e mundur? Për arsye se Beogradi nuk i lejon serbët e Kosovës ta përfaqësojnë vetveten. Për më shumë se kaq, shihni se si [Lideri i serbëve të Bosnjës] Milorad Dodik është bërë i afërt me Putinin se Vuçiqin në shumë aspekte, dhe ky është shqetësim i madh për ne sepse mund të paramendohet lehtë që presidenti i Asociacionit ta këmbejë numrin e telefonit me Putinin. Është rrezik i madh.
Si mund të jetë ajo gjë e rrezikshme?
Putini e përmend Kosovën një herë në javë, në krahasim me Krimenë…
Në qoftë se marrëveshjet e Brukselit nuk janë të mira për Kosovën, si duhet të ndërtohen marrëdhënie më të mira?
Kosova është një shtet jonormal dhe ka dy probleme kyçe që pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme. Ato janë qyteti i ndarë i Mitrovicës dhe shkalla e lartë e papunësisë. Serbia ka gjithashtu probleme të mëdha: ajo nuk do që të përballet me të kaluarën e saj, nuk e di se ku i nisin e mbarojnë kufijtë dhe po bëhet një shoqëri autokratike. Unë besoj se Kosova dhe Serbia duhet të bëhen shtete normale dhe pastaj mund të ndërtohen marrëdhëniet normale. Çfarë po sugjeroj është një lloj dialogu social, i hapur dhe demokratik.
Për serbët e Kosovës, unë jam së pari qytetar i Kosovës, jo shqiptar. Nëse sjellet Serbia në ekuacion, unë bëhem shqiptar. Unë nuk mund t’i bëj ballë suksesshëm Serbisë si qytetar i Republikës së Kosovës. Serbia është shumë më e madhe dhe më e fortë se ne. Por kjo nuk qëndron për serbët e Kosovës, nuk është problemi me ta.
Integrimi institucional nuk mjafton, duhet integrimi shoqëror. Ajo ndodh në dy nivele – niveli i parë është industrializimi dhe zhvillimi ekonomik kurse tjetri universitetet, profesorët dhe studentët. Edukimi cilësor i integron njerëzit dhe edukimi e ekonomia janë dy nivelet thelbësore të integrimit shoqëror.
Si mund ta bëjmë atë?
Së pari, ne duhet të duam ta bëjmë këtë. Duhet ta ndalojmë dialogun e mbyllur diplomatik në Bruksel ku Federika Mogerini i thotë Vuçiqit dhe Mustafës ju keni një marrëveshje dhe shkoni e shiteni te qytetarët tuaj. Nuk besoj në metodën lart-poshtë. Dialogu i vërtetë bëhet nga poshtë-lart.
A e shihni mundësinë e një dialogu të tillë në Kosovë?
Jo, e tërë qasja është e gabuar. Në vend se të bisedohet poshtë-lart për zhvillim, po shkojmë lart-poshtë për pajtim. Nuk kam nevojë të pajtohem me serbët e Graçanicës. Ata nuk kanë bërë asgjë, pra, pse të pajtohem me ta? Problemet që kam janë Vuçiqi, Daçiqi… E kujtoj Vuçiqin si Ministër të Informacionit [i Millosheviqit] gjatë luftës në Kosovë…
Ju pengon pushteti autokraitik i Serbisë dhe e barazoni Serbinë me Vuçiqin, por çfarë nëse dikush tjetër do e udhëhiqte Serbinë?
Nëse ndërron pushteti në Serbi, dhe atë e merr për shembull koalicioni i Zharko Koraçit [Lideri liberal serb] me Çedomir Jovanoviqin, procesi i normalizimit me Serbinë do të fillonte atëherë. Kur them Vuçiq, nuk mendoj në popullin serb por në Serbinë si shtet. Në Kosovë kemi një shtet të kapur, por e njëjta gjë vlen për Serbinë.
Ju mohoni se qeveria e Vuçiqit ka bërë më shumë në këtë proces sesa qeveria e mëparshme?
Mendoj se është një mashtrim.
Nëse Brukseli thotë se Vuçiqi, Daçiqi dhe Mustafa kanë bërë punë të mirë, a mendon se pakoja e Brukselit do të braktiset dhe ata do të gjejnë një sugjerim tjetër?
Unë mendoj se në fund të fundit Serbia do ta njohë Kosovën, por do të jetë një fund i hidhur. Megjithatë, politikanët tanë janë shumë të korruptuar dhe EULEX-i i ka dosjet e tyre këtu. Duke i përdorur ato dosje, ata disiplinojnë politikanët tonë. Pra, shqetësim imi është se BE-ja po e njeh Serbinë e jo Kosovën dhe po mbetet ndërmjetësues.
Çfarë ka bërë Kosova 16 vitet e fundit për të treguar se është një shoqëri demokratike funksionale?
Pas UNMIK-ut, karakteri i qeverisë nuk ka ndryshuar, veçse emrat e ministrave u bënë shqiptar. Ata nuk kanë mundur ta ndërtojnë një shoqëri harmonike. Kjo qeveri gjithashtu do të dështojë në atë aspekt sepse kanë një qasje të keqe të bazuar në dallimet mes neve e jo të përbashkëtat. Ajo që është e përbashkët është se njerëzit janë punëtorë, bujq, amvise, taksistë, studentë – kjo duhej të ishte pikënisja…
UNMIK-u dhe qeveria jonë kanë qasjen e njëjtë – ata fillojnë nga dallimet me idenë e arritjes së diversitetit dhe në fund kërkojnë tolerancë. Unë do të filloja duke ofruar universalitet në vend të diversitetit; unë do të sugjeroja solidaritet në vend të diversitetit; dhe, do të sugjeroja bashkëpunim në vend të tolerancës. Nuk jam kundër diversitetit, por e parapëlqej solidaritetin. Ata kanë pasur qasjen e gabuar për 16 vitet e fundit. Ata kishin gjithë fuqinë, paratë, policinë, mediat dhe OJQ-të, por kishin qasjen e gabuar.
Bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria jonë vazhdimisht flasin për paqe, stabilitet dhe siguri, por çfarë me drejtësinë, zhvillimin dhe demokracinë?
Çfarë është drejtësia në Kosovë?
Sundimi i ligjit dhe një gjyqësor i pavarur, gjëra që mungojnë në Kosovë.
Si duhet të ndërtohet një sundim i drejtë i ligjit?
Nuk mund të ketë drejtësi pa demokraci e zhvillim. Për atë arsye duhet ta përmbysim kërë qeveri. Ne duhet ta ndryshojmë këtë qeveri që ta shpëtojmë gjyqësorin nga dega ekzekutive qeveritare.
Cili është plani specifik i partisë suaj? Kur serbët thonë se frikohen nga protestat tuaja, cila është porosia juaj?
Visar Ymeri, Kryetari i partisë sonë, ka thënë në fjalimin e tij: “Ne nuk jemi kundër serbëve, por Serbia është kundër neve”. Ne nuk i mbajmë protestat në Graçanicë por në qendër të Prishtinës.
A po protestoni kundër Serbisë apo qeverisë suaj?
Ne po protestojmë kundër qeverisë sonë, qeveri e cila ka bërë një marrëveshje të gabuar dhe të dëmshme me Vuçiqin dhe Daçiqin.
Ky është problemi më i madh, jo papunësia dhe krimi i organizuar?
dhe ato janë probleme por e gjitha është e ndërlidhur. Këto të gjitha janë probleme, por një nga më të mëdhatë është “Bosnjëzimi”, një kërcënim specifik sipas neve.
E çfarë me truallin për të cilin serbët thonë u është vjedhur, për shembull në Graçanicë, si mund të zgjidhet kjo?
Kemi shumë probleme me pronat. Është mirë që më pyete sepse Vuçiqi kurrë nuk pyeti për këtë gjë. Vuçiqi e do Asociacionin; ai nuk pyet edhe asnjë serb për problemet me të cilat ballafaqohen këtu.
Vendimet e gjykatës duhet të implementohen. Ekziston një implementim selektiv i vendimeve për arsye se qeveria ka shumë influencë në gjyqësor. Çështjet e pronës duhet të riaktualizohen në Kosovë.
Pse nuk po implementohet ligji?
Sepse ka interesa të mëdha materiale nga njerëz të fuqishëm. Nuk ka të bëjë vetëm me pronën e serbëve, por edhe me atë të shqiptarëve. Shumë njerëz i kanë humbur pronat e tyre për shkak të njerëzve të fuqishëm në sistem apo përreth tij. Kosova është një vend ku ka derdhje të madhe kapitali. Kapitali po akumulohet në duart e një grupi të vogël manjatësh.
Ashtu sikur shqiptarët që nuk janë të gjithë njësoj, as serbët nuk janë të njëjtë. Ka serbë që u është dhënë prona nga Millosheviqi gjatë viteve të ‘90-ta dhe kjo nuk është e drejtë. Pastaj ke vendasit, serbë që ishin përkrah shqiptarëve dhe shumë prej tyre nuk kanë veshur uniforma në atë kohë. Nuk është njësoj si për serbët që kanë jetuar këtu prej para Luftës së Dytë Botërore si për ata që kanë marrë tokë nga [Lideri komunist i ish-Jugosllavisë Aleksandar] Rankoviqi apo Millosheviqi. Është interesante që ata që morën toka nga Millosheviqi janë nacionalistë dhe ekstremistë shumë më të mëdhënj sepse e dinë që toka që zotërojnë nuk është dhe nuk ka qenë kurrë e tyre.
Çfarë mendoni për kishat ortodokse Serbe në sensin e statusit dhe trashëgimisë kulturore?
Ato janë trashëgimi kulturore tejet e vlefshme për të gjithë njerëzit e Kosovës. Është ana religjioze, por ana kulturore u takon të gjithëve. Pajtohem që kishat dhe xhamitë duhet ta kenë pronën e tyre por nuk pranoj se duhet të jenë qindra hektarëshe. Nuk është e drejtë. Priftërinjtë dhe imamët duhet të jenë të drejtuar vertikalisht dhe shpirtërisht kah zoti dhe jo horizontalisht e materialisht kah territori.
Si e kuptoni mospranimin e Kosovës në UNESCO?
I gjithë mundi për pranimin e Kosovës në UNESCO është privatizuar nga Hashim Thaçi i cili besonte se suksesi ishte i garantuar. Ishte po ashtu tejet i dukshëm roli negativ i Serbisë në qarqet ndërkombëtare dhe roli i Kishës Ortodokse Serbe. Me përjashtime të rralla, Kisha Ortodokse Serbe është pjesë e establishmentit shtetëror të Serbisë. S’është problem i vogël ky…
Ju keni thënë para dy vjetësh se së pari duhet të ballafaqohemi me të kaluarën e vetëm pastaj mund të flasim.
Dialogu që çon drejt zhvillimit, atij mund t’ia fillojmë menjëherë. Me Vuçiqin kjo nuk është e mundur, ai nuk na njeh, por me Nenad Rashiqin [ministër i mëhershëm në qeverinë e Kosovës] është e mundur të nis menjëherë.
A është reale të fajsohet Vuçiqi për çdo gjë?
Opozita serbe është pothuajse e eliminuar tërësisht nga Vuçiqi. Mendoj se ai e përfaqeson ftyrën e re të një koncepti të vjetër.
A është ideja juaj përfundimtare një Shqipëri e bashkuar dhe si e shihni Kosovën në 10 vitet e ardhshme?
Dua ta shoh të gjithë rajonin të integruar në BE. Ndërkohë, dua ta shoh një BE më sociale me më shumë barazi dhe rishpërndarje. Pra, BE-ja ndryshon, ne bëhemi pjesë e saj, dhe Kosovës i është dhënë e drejta t’i bashkohet Shqipërisë. Do të votoja “po” në atë referendum, por nëse njerëzit nuk votojnë “po”, ne nuk do ta nisnim një luftë të tretë Ballkanike.
Si do të quhej shteti i bashkuar?
Mendoj se do të quhej Shqipëri.
Çfarë mendoni për idenë e të gjithë regjionit të bashkuar në kuadër të diçkaje sikur BE-ja?
Mundësia e fundit për një gjë të tillë ishte para luftës. Ajo nuk është më e mundur.
Në fund të viteve të 90-ta, intelektualët serbë të perceptonin si një nga përfaqësuesit më të mirë të një Kosove civile. Tash vazhdimisht identifikoheni me ide radikale dhe madje quheni “Shesheli” i Kosovës. A kanë ndryshuar idetë tuaja, apo rrethanat?
Mendoj se kjo shpjegon se si janë mediat në Serbi, në qoftë se kanë krijuar një perceptim të tillë.
Jo në media, nga publiku intelektual…
Është tërësisht e rreme dhe e pavërtetë. Shesheli është fashist, ai mori pjesë në luftën e Bosnjës…
Shesheli kishte idenë e Serbisë së madhe sikur ju për Shqipërinë?
Ideja e Shqipërisë së madhe është koncept i krijuar në Beograd. Beogradi ka marrë territorin kurse neve na ka mbetur kjo etiketë. Ju jeni plotësisht të vetëdijshëm për kufijtë që kishte në mend Shesheli dhe çfarë bëri ai në emër të tyre… Është e rëndësishme si duam ta arrijmë atë [bashkimin]. Dua që të jetë në një mënyrë paqësore dhe demokratike. Nëse njerëzit thonë “jo”, do të qëndroj këtu.
Ku do të përfundonte kufiri? A do të mundnin shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi t’i bashkohen këtij unioni?
Iu takon njerëzve të organizohen dhe të flasin me partitë e tyre politike. Si lëvizje kemi anëtarë në gjithë vendet ku jetojnë shqiptarët, por veprojmë në Kosovë.
Nuk e shihni si diçka që do të krijonte krizë të mundshme në Ballkan?
Kërcënimi më madh për krizë është Beogradi, jo si qytet, por politikat e tij. Serbia gjithmonë flet për interesat e serbëve në Kosovë por kurrë nuk iu referohet shqiptarëve në Serbi. Nuk ka reciprocitet.
A mund të flitet për “ditët e mira të atëhershme” në Kosovë?
Jo, nuk ka nostalgji këtu. Dhe nuk ka revolucion me nostalgji. /Gazeta JNK